Milo: PS gaboi me Presidentin, bëri lojë kulisash me LSI

Paskal Milo
Flet kreu i PSD: Nano është i mirëpritur.
Nëse nuk korrektohet sistemi zgjedhor, do dalim më vete në zgjedhje me front të majtë
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, vlerësoi dje nismën e ish-liderit historik të PS-së, Fatos Nano, duke e quajtur atë si lëvizje të duhur për ribashkimin e familjes së majtë.
Tashmë kemi një President të ri, mendoni se opozita e luajti si duhet rolin e saj politik apo dhe parlamentar në këtë proces? Kam parasysh dy takimet me partitë parlamentare, kur palët uleshin për të negociuar emrat, ndërsa opozita kërkonte ende modalitete…
Unë mendoj që PS-ja në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës gaboi në një drejtim kryesor: ajo i vari shpresat në një bashkëpunim kulisash me LSI-në dhe nuk e shndërroi procesin e zgjedhjes së Presidentit në një betejë politike publike. E ndërgjegjshme se nuk i kishte numrat dhe do ta kishte të vështirë ta zgjidhte ajo Presidentin pa votat e maxhorancës, nuk kishte rrugë tjetër veçse të prezantonte në fushën e betejës politike një apo disa emra të shquar përfaqësues të saj apo të opozitës, duke ia ofruar maxhorancës si kandidatura. Opinioni publik dhe ai ndërkombëtar do të vinin në balancë vlerat e përfaqësuesve të njërës palë dhe përfaqësuesit të palës tjetër. Mendoj se po të ishte sjellë kështu, do të kishte fituar shumë në opinionin publik, jo Presidentin, siç dhe nuk e fitoi, por do të kishte fituar një mbështetje politike, opinionin publik për vlerat që do paraqiste. PS-ja nuk duhet të çonte në tryezë një Sandër, jo të fala Sandrit, sepse nuk e njoh të nderuarin zv.shef të Shtabit, ka vlerat e tij në detyrën që kryen, i nderuar dhe i respektuar në punën e tij, por ishte jashtë çdo parametri për të përfaqësuar një kandidat për President Republike, kur opozitës nuk i mungonin as figurat dhe as kandidaturat.
Edhe ju keni qenë një nga emrat e propozuar në tryezat mes kryetarëve të partive, përse emri juaj nuk avancoi më tej në negociata?
Unë nuk jam vetëshpallur kandidat për President asnjëherë. Kam ditur të ruaj veten time nga megalomania dhe nga aspiratat jo të mbështetura, të tjerë më kanë futur nëpër lista dhe më kanë komentuar pa më marrë leje dhe në një moment të caktuar mund të jem ofruar si një alternativë ose kandidaturë potencialisht konsensuale në raportet mes maxhorancës dhe opozitës, por kam qenë tepër i kujdesshëm të mos ushqej iluzione dhe të mos u besoj kulisave të politikës shqiptare, të cilat janë të jashtëzakonshme dhe që në shumicën e rasteve prodhojnë pisllëqe. Nuk dëshiroja të merrja asnjë pisllëk në kurrizin tim nga këto kulisa.
Çfarë ndodhi me emrin tuaj?
Nuk e di sa e vërtetë mund të jetë, sepse është thënë nga aktorët kryesorë të opozitës dhe maxhorancës që në një mjedis privat, jo publik, është diskutuar dhe miratuar për tu paraqitur kandidatura ime te zoti Berisha si emër konsensual, pa më marrë leje mua dhe pa më thënë paraprakisht. Zoti Berisha, në stilin e tij që premton dhe nuk i mban premtimet, po kështu nga ana tjetër kishte dhënë siguri private, por kur erdhi puna për ta finalizuar kandidaturën, sipas njerëzve që kanë biseduar me të, ai ka refuzuar duke thënë se nuk mund të mbështes një kandidaturë politike të opozitës për shkak të problemeve që mund ti shkaktoheshin brenda partisë së tij. Kjo është përgjigja që më është referuar. I kam burimet nga njerëz që kanë marrë përsipër të më thonë që është biseduar.
Ju thatë që zoti Berisha nuk e mban fjalën, por a kishit sinjale se ai do tju mbështeste ju në këtë garë?
Po, zoti Berisha me persona të tretë kishte lënë të kuptohet se nëse kandidatura ime do të ofrohej dhe nëse do të përjashtohej PD-ja nga paraqitja e kandidaturave të saj, ai do ta mbështeste.
Cilët janë përfaqësuesit e maxhorancës dhe opozitës që ia kanë çuar zotit Berisha emrin tuaj?
Propozimi, me aq sa unë jam informuar dhe që deri tani askush nuk e ka përgënjeshtruar, është se ka pasur një diskutim mes zotit Rama dhe zotit Meta, jo vetëm emri im, por dhe emra të tjerë, dhe në atë moment është konkluduar se mund ti paraqitej zotit Berisha si emër konsensual.
Ky propozim është paraqitur pas tryezës së parë të zhvilluar mes zotit Rama dhe zotit Berisha?
Ky propozim ka ndodhur një ditë përpara se të zhvillohej raundi i tretë, ditën e enjte, para raundit të tretë.
Pas Presidentit, ngjarja tjetër e madhe politike është përmbyllja e reformës zgjedhore, për të cilën komisioni i posaçëm mori dhe një mandat trejavor. Ju i qëndroni kërkesave tuaja për korrektim të sistemit?
Ne kemi një dokument shumë të rëndësishëm angazhues, siç është propozimi i 26 partive politike, përfshirë këtu dhe PD-në e PS-në, që i është adresuar Komisionit të Reformës Zgjedhore për të bërë korrektimin kombëtar proporcional rajonal. Nga momenti që zoti Berisha dhe Rama kanë hedhur firmën në këtë dokument, këto parti nuk mund ta anashkalojnë këtë detyrim, sepse do të mohonin veten e tyre. Ne kërkojmë që të dyja palët të tregojnë gatishmëri, sepse është një detyrim kushtetues. Por, para së gjithash, ne si PDS, në rrethanat e reja post-presidenciale e kërkojmë me këmbëngulje nga PS-ja. Kjo parti duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin më të madh dhe të mos e klasifikojë si çështje dytësore para 2-3 kërkesave që ajo parashtron. Kanë ndryshuar rrethanat, maxhoranca duke zgjedhur Presidentin e Republikës nga radhët e saj tashmë i ka forcuar edhe më shumë pozitat e saj politike dhe përbën një rrezik shumë më të madh për demokracinë në Shqipëri. Pra, PS-ja në këto rrethana nuk ka më asnjë hapësirë për të lëvizur, veçse të forcojë frontin opozitar, veçanërisht brenda të majtës së bashkuar, duke lënë mënjanë llogaritë e vogla, apo rezervat e pamerituara për aleatët e saj që qarkullojnë në oborrin e PS-së. Nëse do ti fitojë zgjedhjet e ardhshme, nuk do ti fitojë me slogane, por me një veprim konkret për të krijuar një front të bashkuar opozitar. Këtij qëllimi i shërben dhe vendosja e korrektimit kombëtar të sistemit. Me këtë do motivoheshin partitë aleate për të sjellë sa më shumë vota. Por, kjo do të çarmatoste meskinët dhe lepurakët e PS-së që kanë frikë nga personalitet e partive të tjera të së majtës opozitare, se mos nesër u zëne vendin në Kuvendin apo qeverinë e ardhshme. Në këtë situatë ku ndodhemi, unë i adresohem drejtpërsëdrejti Edi Ramës, duke i thënë që të mos bëjë gabimin e madh të radhës: dil përtej skemave tradicionale të vendimeve të vogla të marra në qark të mbyllur; investo për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe korrektimin e sistemit, aq sa po investohesh edhe për tema të tjera, sepse në fund të fundit fitorja e PS-së ose humbja e saj do të përcaktohet pikërisht nga ky bashkëpunim substancial me partitë e opozitës. çdo iluzion dhe kalkulime të tjera jo transparente që mund të vijnë nga darka e Gjirit të Lalzit, nuk do të kenë shanse për sukses, sepse një hendek i madh i ka ndarë dhe do ti ndajë edhe në të ardhmen marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së.
Nëse nuk korrektohet sistemi, cili do të jetë qëndrimi juaj i ardhshëm politik dhe elektoral në prag të zgjedhjeve të 2013-s?
Ne nuk do të shkojmë qorrazi, siç shkuam të detyruar në 2009-n, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ne jemi duke përpunuar alternativa të tjera, në rastin kur PS-ja nuk do të jetë e zonja të udhëheqë procesin e reformës zgjedhore, aq sa kjo mund të quhet reformë, në atë drejtim që mund të korrigjojë gabimin e madh që bëri në 2008-n, pra për të korrektuar sistemin aktual. Me Kodin aktual, PS-ja do ta penalizojë veten, sepse ne nuk do të shkojmë në një k