Rama: Masakër me Parkun e Liqenit

Kreu i PS, Edi Rama
Kreu i PS ka akuzuar dje qeverinë për veprime antiligjore me punimet për Rrugën e Elbasanit.
Zgjerimi i rrugës, alibi për interesat e klientelës së pushtetit
Kryesocialisti Edi Rama në një dalje dje për mediat ka reaguar dje në emër të opozitës, lidhur me shkatërrimin dhe prerjen e pemëve në zonën e Parkut Kombëtar, pranë Rru-gës së Elbasanit.
Kryetari i selisë rozë akuzoi qeverinë se po tjetërson vlerat historike të kryeqytetit për tu hapur rrugë aferave klienteliste. Rama theksoi se shkatërrimi i një pjese të Parkut Kombëtar, me pretekstin e zgjerimit të rrugës, është bërë në mënyrë antiligjore dhe pa vendimmarrje me strukturat përkatëse, siç është KKRTSH-ja. Rama e quajti si shqetësuese dhe akuzoi Bashkinë e Tiranës për prerjen e lisit 220-vjeçar të Ethem Beut në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Sot, me alibinë e zgjerimit të Rrugës së Elbasanit, ajo që po ndodh në fakt është hapja e territorit të parkut për interesat e një klientele tanimë famëkeqe në kryeqytet me dominancë jashtëzakonisht të fortë edhe në vetë ekonominë e vendit. Nuk ka asnjë dyshim dhe nuk ka asnjë kontestim të arsyeshëm për një zgjerim të arsyeshëm të Rrugës së Elbasanit. Por është po kaq e arsyeshme që të vihet alarmi për faktin se zgjerimi i rrugës po përdoret si një alibi për ti hapur rrugë interesave të klientelës më të afërt të pushtetit të sotëm të Kryeministrit dhe të gjithë oborrit të tij, deklaroi Rama.
Dëmet
Për shefin e opozitës, dëmi i shkaktuar me prerjen e pemëve dhe prishjen e një zone të mbrojtur në Parkun Kombëtar është i pamasë. Sipas Ramës, Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës kanë refuzuar të japin informacione për projektin që synohet të realizohet në Rrugën e Elbasanit dhe kjo, për kreun e PS, shton më shumë dyshimet se po favorizohen klientët e qeverisë. Mungesa e plotë e transparencës, refuzimi me një arrogancë të pashembullt i kërkesës së bërë nga ata që kanë marrë përsipër nismën qytetare të mbrojtjes së Parkut Kombëtar, është një tjetër element jo vetëm shqetësues, por dhe kuptimplotë për faktin se autorët e kësaj masakre janë të vetëdijshëm se kanë kaluar mbi ligjin dhe për interesa mirëfilli klienteliste dhe të errëta, theksoi dje shefi i opozitës. Kryetari i PS-së pohoi ndërkaq se klientët e pushtetit i janë vërsulur blerjes së objekteve dhe godinave të vjetra në qendër të kryeqytetit, që sipas Ramës mbrohen nga plani urbanistik francez i miratuar prej Bashkisë së Tiranës që drejtohej prej tij. Zhbërja e planit francez ka qëllim ti hapet rrugë zhbërjes së kësaj trashëgimie kulturore me qëllim të hapur fitimi, përmes shkatërrimit që do të sillte dhënia e lejeve të ndërtimit në gjithë këtë zonë. Është një vizion barbarizues i shpalosur me zhbërjen e qendrës historike të Tiranës, deklaroi Rama.
Bashkia: Rama do konflikt politik, parkun e la 11 vjet pa status ligjor
Zgjerimi i rrugës, për interes të qytetarëveLulzim Basha
Pas deklaratës së liderit të opozitës Edi Rama, reagoi dje Bashkia e Tiranës: Shprehim keqardhjen e thellë që z. Rama zgjodhi sërish këtë të diel për të vënë konfliktin politik mbi interesat e qytetarëve të Tiranës. Rruga e Elbasanit është një arterie e rëndësishme kombëtare, si porta kryesore hyrëse dhe dalëse për Lindjen dhe Juglindjen e vendit dhe një prej rrugëve urbane të Tiranës që prej kohësh ndjen nevojën e zgjerimit për të akomoduar nevojat e komunitetit dhe banorëve të komunave fqinjë, thuhet në deklaratën e Bashkisë. Sipas saj, zgjerimi i Rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës se banorëve të Tiranës dhe do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Po kështu, dje janë zbuluar edhe detaje të reja të projektit për zgjerimin e rrugës. Projekti i zgjerimit me 6 korsi i Rrugës së Elbasanit parashikon mbjelljen e 480 pemëve dekorative. Zoti Rama, si ish-kryetari i Bashkisë, i kujtohet me siguri se parkut për 11 vjet nuk iu dha statusi ligjor për ta mbrojtur atë nga ndërhyrjet e shumta që ndodhën, me dhe pa leje, gjatë asaj periudhe. Sot, Bashkia po investon për rehabilitimin dhe zmadhimin e territorit të gjelbëruar të parkut dhe ka gati projektin për ti dhënë atij statusin ligjor mbrojtës të munguar deri më tani, thuhet në deklaratë. Ndërkohë, sipas Bashkisë, vetëm këto 9 muaj në park janë mbjellë 500 pemë të reja dhe do të mbillen edhe 3 mijë të tjera brenda vitit. Duke përmirësuar rrugët e qytetit tonë dhe duke shtuar hapësirat e blerta, Bashkia e Tiranës po merr përgjegjësitë e saj për të sotmen dhe të ardhmen e Tiranës. I bëjmë thirrje z. Rama se nëse e gjen të pamundshme përballjen me përgjegjësitë e tij si-ish kryetar, të ngrihet në nivelin e përgjegjshmërisë qytetare dhe të vendosë interesat e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve mbi logjikën e ngushtë të konfliktit politik, thuhet në deklaratë.
FATION BINJAKU
