E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për titull

Derbi i xhiros së parafundit të Superligës do të zhvillohet të mërkurën në Mitrovicë, ku do të përballen dy pretendentët kryesorë për titull - Trepça ’89 e Prishtina. Bardhekaltrit do të përpiqen që të paktën ta nxjerrin një barazim për të siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit. Kurse, ‘Xehetarët’ synojnë të shënojnë fitore për të shpresuar në mrekulli, që në xhiron e fundit eventualisht ta rrëmbejnë epitetin e më të mirit.

Të mërkurën do të zhvillohet xhiroja e parafundit e Superligës së Kosovës në futboll. Super-derbi i kësaj jave do të zhvillohet në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë, ku do të ballafaqohen dy rivalët kryesorë për titull të kampionit – Trepça ’89 dhe Prishtina.

Në fakt, skuadra prishtinase prin në tabelën e klasifikimit me 62 pikë, katër më shumë sesa ekipi mitrovicas. Kështu, bardhekaltërve do t’u mjaftonte edhe një barazim si mysafirë të 89-shit për ta siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit – një xhiro para përfundimit të kampionatit.

Andaj, kryeqytetasit shpresojnë që midis Mitrovicës ta kremtojnë titullin e kampionit për nder të 90 vjetorit të themelimit të klubit të tyre.

“Edhe pse jemi katër pikë para Trepçës ’89, në këtë derbi do të hyjmë të koncentruar dhe duhet të angazhohemi shumë për ta nxjerrë një rezultat pozitiv, për ta siguruar titullin e kampionit”, deklaroi për Express trajneri i Prishtinës, Jusuf Tortoshi.

Në anën tjetër, ‘Xehetarët’ vetëm me fitore ndaj Prishtinës do të mund të shpresojnë që në xhiron e fundit të ndodhë mrekullia dhe ta rrëmbejnë epitetin e më të mirit.

Prandaj, ata thonë se do ta japin maksimumin në këtë duel, të paktën për t’ia shtyrë festën kryeqytetit. Madje, mitrovicasit thonë se do të përpiqen ta mposhtin Prishtinën për të dëshmuar se e kanë merituar më shumë sesa ajo titullin e kampionit.

“Do ta kemi shumë vështirë, por kualiteti është në anën tonë. Do të mundohemi të shënojmë fitore për të dëshmuar se jemi ekipi më i mirë dhe se shkaku i dallavereve të skuadrave tjera na u është mohuar titulli. Do të tregojmë se ndershëm kemi arritur deri këtu, në dallim prej ekipeve tjera”, tha sulmuesi i Trepçës, aktualisht më i miri në Superligë, Berat Hyseni.

Superliga – Xhiroja e 32-të

E mërkurë

Trepça ’89 – Prishtina

Hysi – Trepça

Vëllaznimi – Drenica

Drita – Liria

Besa – Lepenci

E enjte

Gjilani – KEK-u

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 17:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›