E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja për votat e minatorëveNga TemaPak ditë pasi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me sindikatën e minatorëve dhe premtoi se, sapo të vijë në pushtet, do të bëjë të mundur që të miratohet statusi i mina

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Beteja për votat e minatorëveNga Tema

Pak ditë pasi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me sindikatën e minatorëve dhe premtoi se, sapo të vijë në pushtet, do të bëjë të mundur që të miratohet statusi i minatorit, edhe kryeministri Berisha ka zbritur në një qytet minatorësh dhe ka premtuar se do të ulë moshën e daljes në pension të minatorëve.

Rama dhe Berisha kanë qenë në dy qytete minatorësh, i pari në Bulqizë dhe i dyti në Përrenjas.

Berisha në Përrenjas

Kryeministri, Sali Berisha, ishte në qytetin e Përrenjasit dhe ka premtuar dyfishim pensionesh për minatorët, por tha se nuk mund t’u japë atyre status të veçantë, për shkak se këtë nuk e lejonte sistemi evropian. Berisha premtoi se do të ulë moshën e daljes në pension të kësaj kategorie, premtim që e ka bërë më parë Rama.

“Ju jeni një qytet minierash dhe industrie mineralesh. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por unë vij prapë këtu që t’iu premtoj dy gjëra minatorëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të ulë me pesë vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh, por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t’jua rris pensionet. Por reforma evropiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, lejon rritje pensionesh dhe ne do t’ua rrisim ato, lejohet ulja e moshës dhe unë do të ul moshën e pensionit.

Unë iu premtova fermerëve shqiptarë se do të dyfishoj pensionet e tyre dhe unë e mbajta fjalën. Unë ju premtoj fermerëve të Përrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se në katër vite që vijnë pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit.

Unë i garantoj minatorët e Përrenjasit se unë do rris në mënyrën më të fuqishme pensionet e tyre. Unë i garantoj gjithë pensionistët shqiptarë, se në katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të jenë më të mëdha se pensionet e qytetarëve të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, - tha Berisha.

Rama në Bulqizë

Duke folur në Bulqizë, Rama tha se do vinte sërish për të hyrë në galeritë e minierave të kësaj zone, kësaj here për të ndryshuar radikalisht gjendjen e tyre.

“Është e disata herë që unë vij këtu në Bulqizë, ku kam qenë në ditë të vështira që ju i keni kaluar shpesh herë në 4 vitet e fundit, për shkak të mungesës së plotë të vëmendjes dhe cinizmit të kësaj qeverie, e cila i ka kthyer shpinën Bulqizës, e cila u ka kthyer shpinën minatorëve, e cila e quan diçka normale që çdo muaj, babai i disa fëmijëve, bashkëshorti i një nëne të mos kthehet dot në shtëpi, për shkak të kushteve çnjerëzore të minierës së Bulqizës, e cila është pasuri e përbashkët, që fare mirë mund të ishte themeli i mirëqenies së përbashkët. Por, për fat të keq ajo është zgafella e fatkeqësive të njëpasnjëshme, e mbijetesës së stërmundimshme dhe e një korrupsioni, të cilit ne do t’i japim fund më 28 qershor.

Unë nuk e kërkoj votën tuaj për ta marrë shtetin dhe për ta kthyer nga një vegël të demokratëve, në një vegël të socialistëve, për të bërë me fëmijët dhe prindërit e këtij vendi kopetë e mitingjeve të ardhshme. Unë e kërkoj votën tuaj, që së bashku të ndërtojmë një shtet të të gjithë qytetarëve, të ndërtojmë një shtet përtej së majtës dhe së djathtës.

Bulqiza është shembulli më kuptimplotë i kësaj politike të vjetër, të kthyer me kurriz nga njerëzit dhe këtu në Bulqizë krenaria dhe dinjiteti i çdo njeriu, i çdo burri dhe gruaje, i çdo prindi, pavarësisht bindjeve të tij, duhet të vihen në vend me votën e 28 qershorit, ku e ardhmja duhet të ndahet nga e shkuara.

Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore, në të cilat punojnë minatorët e Bulqizë, të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, por jo për t’i parë, por për t’i ndryshuar ato kushte, me qeverinë që do ta vendosim në dispozicionin tuaj”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›