“Club Med”: S’kemi punë me KakomenëNga Tema Kompania e njohur franceze, “Club Med”, deklaron zyrtarisht se ajo nuk ka asnjë lidhje me projektin e ndërtimit të një fshati turistik në zonën e Kakomesë. Drejtori Rajonal për Zhvillimin pranë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Club Med”: S’kemi punë me KakomenëNga TemaKompania e njohur franceze, “Club Med”, deklaron zyrtarisht se ajo nuk ka asnjë lidhje me projektin e ndërtimit të një fshati turistik në zonën e Kakomesë.
Drejtori Rajonal për Zhvillimin pranë kompanisë së njohur, Florence Le Gall, në një komunikim përmes e-mail-it me pronarët e tokave në Kakome, sqaron se kjo kompani ka studiuar disa kohë më parë një projekt në këtë zonë, por gjithçka u anulua e madje çështja e pronës ishte një nga arsyet.
“Siç ju thashë dhe më parë, nuk ka një projekt të “Club Med” në Shqipëri. Ne kemi studiuar pak vite më parë një projekt në Kakome. Projekti është ndaluar nga ana jonë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pronësia mbi tokën është një prej tyre.
Ne nuk jemi në marrëveshje me kompaninë “Riviera”. Ne nuk jemi në dijeni se çfarë po ndërtohet apo jo momentalisht në atë zonë. Kështu që ju lutem mos më dërgoni më e-mail-e për një projekt që nuk ekziston”, - thuhet në përgjigjen e Le Gall për banorët e zonës.
Pak përpara se të vinte në pushtet kryeministri, Sali Berisha, premtoi se nuk do lejonte ndërtimin e këtij fshati turistik në zonën e Kakomesë. Ai madje deklaroi se fshati turistik ishte një biznes i Fatos Nanos. Një gjë e tillë ndihmoi që PD të merrte vota e madje të drejtonte njësi vendore në zonën ku jetonin pronarët e tokës së Kakomesë.
Por, pas ardhjes së Berishës në pushtet premtimet ndryshuan. Firma e ndërtimit nis punimet në mënyrë ilegale në këtë zonë, duke e pushtuar atë. Banorët e zonës, pronarë të tokës, u dhunuan nga policia, e cila komandohej nga lart.
Vetë kryetari i komunës u vu nën presion duke i ofruar një ryshfet të majmë prej 1 milion eurosh.
Punimet në atë zonë kanë vijuar, ndërsa kryetari i komunës ishte i pari që shprehu dyshimet se pas ndërtimit të kësaj firme nuk ishte “Club Med”, por vetëm kompania shqiptare.
Gazeta “TemA” ka zbuluar se pas projektit qëndron pronari i ri i ARMO-s, Rezart Taçi dhe pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj. Ata janë bërë mbështetësit e pronarit të kompanisë “Riviera”, Dritan Çela, duke i ofruar atij suportin e kryeministrit, Sali Berisha.
Banorët kanë ngritur paditë përkatëse ndaj këtij pushtimi.
Firma ka nisur punimet duke bërë një masakër të vërtetë mjedisore në këtë zonë, një nga më të bukurat në gjithë Mesdheun. Ajo akoma nuk ka bërë një studim të mirëfilltë për punimet që ka ndërmarrë, por vazhdon të zhdukë bimësinë e zonës e të ndërhyjë në strukturën e saj.
Policia ka përkrahur në çdo krah këta pushtues të Kakomesë. Siç ka ndodhur dhe në rastin e Jalës, ajo është vënë në dispozicion të Familjes Berisha.
Berisha në vitin 2005: Kakomeja është biznes i Fatos Nanos
“Tani, mesazhi im për Fatos Nanon është që ai ka bërë zgjedhjen e tij, pensionin në Sarandë. Pyeteni veten ju, pse ka zgjedhur Sarandën. Duhet të shkoni në Sarandë ta kuptoni. Absolutisht po, për ato motive që po investon në Kakome. Se Kakomeja është vetëm e tij. Mos mendoni ju se do ishte një shqiptar që do t’i vërsulej pronës tjetër veç kryeministrit, askush s’mund ta bënte. Ai e bëri, siç po ndodh me fshatarët e Kakomesë, me gjithë dokumentet që provojnë pronësinë e tyre. Mirëpo ky tani nga Kakomeja mendon dhe i është hapur mendja për Ksamilin, ka bërë dhe disa projekte me disa grupe, që në fakt do merren vesh.”
* Marrë nga emisioni “Fahrenheit” i gazetarit Sokol Balla. Transmetuar në “Vizion Plus” në datë 19 qershor 2005.
Kumi: M’u dhanë ryshfet 1 milion euro që të mbyll gojën
Kryetari i komunës së Nivicës, Vladimir Kumi, në një intervistë për emisionin “Faktor Plus” 27.02.2009
Realisht si e shikoni problemin ju aty, është vërtet një kompani që do të bëjë një investim serioz apo është çështje e biznesit shqiptar që kërkon ta përdorë për interesa të tij?
Unë nuk besoj që aty bëhet fjalë për ndonjë kompani të huaj. Madje marrin njerëz që nuk dinë të flasin asnjë gjuhë dhe bëjnë sikur flasin italisht për t’u hequr si përfaqësues të Club Med. Unë them se, në rast se aty do të ishte Club Med, me ftesat që i kemi dërguar, ai do të kishte ardhur të paktën në zyrat e komunës Lukovë, dhe për vetë emrin e tij serioz që ka në fushën e turizmit.
Ju si kryetar komune s’keni asnjë kontakt me investitorët e huaj?
Jo, absolutisht. Unë besoj se aty ka njerëz që kanë investuar shumë në ryshfete. Edhe mua më është ofruar një ryshfet nga zoti Çela, rreth 1 milion euro.
Ju e keni të provuar?
Unë po e them, s’ka rëndësi, më ka dërguar njerëz në ditët e grevave për të marrë paratë dhe për t’i dhënë fund. Nuk jam duke bërë një akuzë përpara gjykatës. Por ne jemi përpara një realiteti shqiptar, që flitet për një aferë korruptive nga ana e kryeministrit të mëparshëm. Kryeministri i sotëm, kur ka marrë takime me mua si përfaqësues i Nivicës në atë kohë, ma ka pranuar këtë aferë korruptive, dhe i keni parasysh akuzat e tij në atë kohë kur ishte në opozitë, dhe jo vetëm një herë. Më mbrapa kjo ka vazhduar në të njëjtën mënyrë, politika e ryshfetit sërish ka funksionuar.