Gjuetia e fundit e Fa(h)riseutNga Sali Dervishi“Shteti nuk është një temë filozofike, shteti është një punishte misterioze e paanë, e pafund, e moralshme dhe e pamoralshme”. Ky përkufizim nuk vjen si riprodhim me fjalë të tjera i mendimit politik të
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gjuetia e fundit e Fa(h)riseutNga Sali Dervishi“Shteti nuk është një temë filozofike, shteti është një punishte misterioze e paanë, e pafund, e moralshme dhe e pamoralshme”. Ky përkufizim nuk vjen si riprodhim me fjalë të tjera i mendimit politik të Makiavelit, as si ndonjë përsiatje mbi filozofinë kontroverse të Niçes mbi shtetin si një “amoralitet i organizuar”. Përkundrazi, është një “koncept” origjinal i stisur nga Fahri Balliu, autori i librit panegjirik, “Berisha përmes Kasandrave”, i botuar në vitin 1996 me sponsorizimin e fondacionit “gjeneral” Rrapush Xhaferrit, drejtuesit të firmës piramidale “Populli”, që për ironi do të sulmohej 1 vit më pas nga vetë përfituesi i këtij akti bamirës, se kompania e tij ishte një krijesë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe segmenteve të së majtës shqiptare për të sabotuar pushtetin demokrat. Por, për ironi, Balliu do të jetësonte në praktikë 10 vite me vonë “idealin” e tij të punishte-shtetit shqiptar, në bashkëpunim me biznesmenin Mihal Delijorgji, punishten e demontimit të municioneve në Gërdec.
Rezultatet e këtij eksperimenti me “biolog Balliun” dhe “laborant” Delijorgjin dihen: shpërthimi i tmerrshëm më 15 mars të vitit të kaluar mori 26 jetë njerëzish të pafajshëm, plagosi mbi 300 të tjerë, rrënoi qindra banesa dhe sipërmarrje private. Mbi të gjitha, kjo ngjarje që bëri xhiron e botës në pak minuta, regjistroi shpërthimin e skandalit më të madh, ku janë implikuar përfaqësuesit më të lartë të një qeverie shqiptare përgjatë periudhës së vështirë të pluralizmit shqiptar. Mjerisht, që prej vitit 1991, shqiptarët kanë qenë dëshmitarë të mjaft skandaleve duke filluar që nga “Arcobaleno” me protagonist ish-kryeministrin, Fatos Nano. Por ngjarja e marsit 2008 sintetizoi më shumë se asgjë tjetër faktin se përballë makutërisë së skajshme për pushtet e pará, punishte-shteti i Balliut & Delijorgjit nuk kurseu jetët e 26 qytetarëve shqiptarë, mes të cilëve edhe Flavios 3-vjeçar, të cilit eksplozioni kataklizmik i preu dhunshëm çdo ëndërr fëminore. Amoraliteti i shtetit të vizatuar fillimisht në mendjen delirante të këtij njeriu pervers, për të cilën bashkëkohësit dëshmojnë se ecën me parimin “më parë se mendjen apo zemrën dëgjo mishin...”, e më pas të vënë në praktikë përmes përdorimit gjithaq amoral të vajzës së tij, asokohe ende minorene, në këtë aferë të pistë, është i paanë, në përmasa të tilla që, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara, nuk mundet assesi që të kamuflohet me një moralitet fals. Akoma më keq, kjo nuk mund të bëhet me kreditet tashmë të diskredituara të një “makartizimi alla shqiptar”, të cilin Berisha në vetën e parë e shpërdoroi në funksion të mbajtjes me çdo kusht të pushtetit personal në vitet 1992-1997. Balliu e mbajti gjallë gjatë viteve të gjata në opozitë, me koston e shtimit të frikshëm të neverisë së opinionit publik ndaj shtypit të djathtë opozitar (kur në fakt duhet të ndodhte e kundërta), pikërisht për shkak të modelit retrograd, thellësisht bolshevik dhe pa asnjë lidhje me parimet profesionale e etike të gazetarisë. Dhe tashmë, në epilogun e trishtuar të kësaj qeverisjeje, po tenton që ta rivitalizojë “Rosinantin” gërdallë e të rrjeposur drejt një beteje thuajse të humbur elektorale. Ngjarja e 15 marsit 2008 tregoi as më shumë e as më pak se, të ashtuquajturit “Zotërinj të Luftës”, që media të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare i reklamojnë duke u bazuar pjesërisht edhe në të dhënat e rezervuara të shërbimeve sekrete, si personazhe fantazmagorike që jetojnë në gjysmë ilegalitet nëpër skuta të ndryshme e të shkreta të globit, në Shqipëri janë ulur këmbëkryq, faqe të gjithëve. Ata i gjen ne qeveri, parlament, administratë, organet gjyqësore, kudo ku për hipokrizi e për ritualitet procedurash demokratike do të duhet që të japin “llogari” para qytetarëve. Llogaridhënia nuk shihet gjëkundi. Përkundrazi. Ata tjerrin moral 24 orë në 24. Ata nuk kanë nevojë që t’i druhen ligjit, pasi ligji janë vetë. As darës shtrënguese të punishte-shtetit, pasi e kanë ngritur me duart e tyre. Të gjithë janë në funksion të ruajtjes me fanatizëm së rrjetit të endur mafioz shtetëror sipas parimit pervers se “duart e palara pastrohen vetëm me ujë të ndotur”. Gjithsecili bën atë çka mundet që ta bëjë më mirë.
Detyrat janë rreptësisht të ndara. Dikush zgjedh që të bëjë kamikazin para medieve duke lexuar plot belbëzime deklaratat e shkruara nxitimthi atje lart në nevrasteni e sipër (shumëkush ka konstatuar duke ndjekur TV se edhe fjala më e thjeshtë bëhet telenovelë në gojën e Aldo Bumçit). Të tjerë, juristë me master në Perëndim apo shkollë plepash, “zgjedhin” që të shkelin vullnetarisht mbi parimet etike dhe profesionale, duke dhënë pa u menduar dy herë vendime gjyqësore të dyshimta për të shpallur të pafajshëm apo më e pakta për të lehtësuar pozitën juridike të “macho-fucker”-it, simbol i dikurshëm i KOP dhe “duarve të pastra”. Ajo çka vihet më tepër re nga të gjithë është buzëqeshja e tij e shpenguar.... Ndërsa ai që vetëshpallet si eminenca gri e kryeministrit dhe që me këtë pozitë vë gjoba lart e poshtë për të vjelë në emergjencë atë çka mbetet nga punishtja-shtet që gatoi me duart e veta, me bekimin e atij lart që iu shit në vitin 2005 shqiptarëve si maniak i “higjienës së duarve”, i rikthehet me zell profesionit të çekinit duke shënjestruar nga distanca të gjithë ata që nuk mendojnë se shteti është një “punishte e pamoralshme”. Njëlloj si bashkatdhetarët e mikut të tij të ngushtë, Damir Fazlliç, të cilët eliminonin me snajper të pozicionuar në kodrat e Sarajevës qytetarët e pafajshëm boshnjakë në mesin e viteve ’90, Balliu e përdor droganë e tij të ndryshkur për gjuetinë tij të fundit të “kasandrave” antiberishiane.
Është interesante të vihet re se me termin “Kasandër” Balliu mendoi 13 vite të shkuara se stigmatizonte kritikët e Berishës që parashikonin dështimin e tij në pushtet, por duke qenë një njeri me një erudicion të mangët, nuk e dinte se “Kasandra” në mitologji qe një profete që parathoshte gjëra të këqija, që do të ndodhnin vërtet, por të cilat nuk besoheshin nga bashkëkohësit e saj në kohën që thuheshin. Paradoksalisht Balliu që në titull i paraqet në libër kritikët e Berishës si njerëz që kanë të drejtë dhe këtë të fundit si një njeri që e ka gabim, ndërsa në brendi mban një linjë tërësisht të kundërt duke u pozicionuar njëfarë mënyre si një Kasandër kundër Kasandrës mitologjike. Një anomali kjo evidente, por e pashmangshme, po të kihet parasysh fakti se asokohe Balliu mitologjinë e njihte ende nga librat e shokut Enver dhe jo nga literatura e drejtpërdrejtë. Pretenca për këtë gjueti të fundit është e thjeshtë: duhet që të “linçohen” të gjithë ata që kanë guximin qytetar që t’i kundërvihen këtij “state capture” (një shprehje shumë e pëlqyer nga eksponentët e PD, sa kohë që ndërkombëtarët i referoheshin qeverisjes së majtë deri në qershor të vitit 2005, por të zhvilluar në përmasa të papara më pas . “Faji” i tyre primar është mungesa e besnikërisë deri në vdekje ndaj familjes kryeministrore. Akuzohen se nuk janë përjetësisht koherentë në mendimet e tyre. Në fakt, vetë “Silloja” i qeverisë aktuale, i cili, si ai personazhi i famshëm i diktaturës i luajtur me shumë mjeshtëri nga humoristi Koço Devole, detyrohet të mbulojë me një mijë e një mënyra deficiencat shqisore të udhëheqësit të madh, duke qarë e qeshur sipas lëngimeve të këtij të fundit, në mos po duke u bërë grotesk në nivele ekstreme në shumë panele televizive në rrekjen lart e poshtë për të hedhur poshtë zërat se kryeministri ka “x vite që nuk sheh...” apo “y vite që nuk dëgjon...”, ka kthyer, edhe pse më vonesë, xhaketën. Në rast se kjo nuk do të kishte ndodhur, Balliu do të mburrej ende sot, këtë herë në mjediset e së majtës, për miqësinë e tij me ish-ministrin e Brendshëm komunist, Hekuran Isai, të cilit i shkruante dhe fjalimet në vitet ‘80. E meqë Cvajgu dikur thoshte më të drejtë se “kurrë nuk urrehen më egërsisht sesa dy specie të së njëjtës racë”, Balliu shpeshherë atakon ose tenton që të ironizojë ata që kanë mbetur koherentë duke lëvduar ngrehinën e vjetër shpirtërore. Rëndom përdoret si metaforë e stigmave Sofokli Lazri, shkruesi i fjalimeve të diktatorit Enver Hoxha. Fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri e gjeti Balliun si gazetar të organit të Partisë së Punës së Shqipërisë, “Zëri i Popullit”, ku atëherë kryeredaktor qe Namik Dokle, sërish për ironi një ndër politikanët socialistë më të sulmuar nga gazeta e Balliut. Te ZP, ku qëndroi në periudhën nga dhjetori 1990 deri në dhjetor 1991 dhe deri kur u largua nga gazetaria për t’u emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga ministri socialist, Ilir Boçka, Balliu ka shkruar shkrime të ashpra kundër opozitës së kohës dhe kreut të saj, Sali Berisha. Një pjesë të këtyre shkrimeve në vitin 2001 i ka ribotuar gazeta “Forum” e Partisë Demokrate të Reformuar, kreu i së cilës sot është rikthyer nën sqetullën e “vëllait të madh” Berisha duke firmosur kësisoj dështimin e tij zyrtar, si politikan. Në qershor të vitit 1991, kur PPSH u shndërrua në Partinë Socialiste të Shqipërisë, Balliu mori teserën e PS, atë teserë që mori edhe Fatos Nano apo Gramoz Ruçi. Në dhjetor të po atij viti, Balliu emërohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga ministri socialist, Ilir Boçka, pikërisht në Drejtorinë e Diasporës.
Me ardhjen e demokratëve në pushtet në mars të vitit 1992, duke u cilësuar si aparatçik komunist, ai pushohet nga puna me anë të ligjit 24/1 për reformën në administratë. Pikërisht atëherë, instinkti natyral i mbijetesës dhe kurrfarë ideali apo parimi e shtyu Balliun që të ndërronte sakaq ngjyrë, duke vetëgrisur spaletat e oborrtarit të nomenklaturës komuniste për t’u bërë një i demokrat “sui generis” dhe formalisht një berishian i flaktë. Për të hequr tërësisht prej vetes erën kutërbuese të ish-skenaristit të Sigurimit të Shtetit në Kinostudio që demaskonte plot pathos grupet armiqësore, të cilët me ndihmën e imperialistëve amerikanë synonin që të sabotonin Metalurgjikun e Elbasanit, revolucionari i devotshëm komunist e me bindje të thella ateiste shndërrohet befas në një fetar të zellshëm.
I infektuar nga mania e të pozicionuarit përherë me shumicat dërrmuese, aty ku gjysmë-qeniet e mësuara të zvarriten si vemjet ndihen përherë komode, ashtu si në kohën e PPSH, në vitet e para të demokracisë Balliu fillon e falet rregullisht në xhami, përderisa referuar statistikave shumica e shqiptarëve i takojnë këtij besimi fetar. Më pas fillon e konfliktohet me vëllezërit shqiptarë myslimanë të Shkupit, në kohën kur mbante postin e konsullit të parë të ambasadës shqiptare në Maqedoni, për shkak se këta të fundit e akuzonin se i jepte informata shërbimit sekret maqedonas dhe se ishte përgjegjës për arrestimin dhe dënimin e shumë shqiptarëve të akuzuar si ekstremistë. Kultura orale televizive, si dhe disa miq të ngushtë e kishin informuar së atje larg, në tokën e premtuar, Samuel Huntington, një politolog i njohur, në esenë e tij të njohur “Përplasja e qytetërimeve”, parashikonte se, përveç qytetërimit perëndimor dhe besimit të krishterë, për fetë dhe civilizimet e tjera nuk do të frynin erëra të mbara. Në panik e sipër dhe me një pafytyrësi shembullore, Balliu do të deklamonte se kishte përjetuar papritmas një rilindje shpirtërore që e ngiste kah fesë së origjinës së të parëve. Kaq të theksuar e ka kameleonizmin ky njeri në karakter, sa gradualisht filloi që të kultivojë zellin prozelit, jo vetëm te vetja, por edhe tek ata që e rrethonin, duke shfryrë me sa të mundte bulçitë kundër gjysmëhënës dhe orientit në tërësi.
Etja e pashuar për pará e kandisi që të vetëshpallet si ithtari i parë shqiptar i Alcide De Gasperit, themeluesit të Partisë Demokristiane Italiane dhe një nga arkitektët e Bashkimit Evropian dhe për krijuar një fondacion që mban emrin e këtij politikani dhe statisti të madh italian. Balliu, i cili njeh si gjuhë të huaj atë bullgare, që e ka studiuar në kohën e komunizmit, e quan veten një intelektual elitar, nga ata që u takon të marrin përsipër formësimin e mentalitetit të shoqërisë shqiptare. Por, është në realitet antipodi i De Gasperit në çdo pikëpamje, morale, politike e kulturale. De Gasperi ka qenë një njeri thellësisht besimtar (kristian katolik), që u bë themelues i Demokracisë Kristiane në Itali. Diplomati italian, Pietro Kuaroni, i cili e ka njohur personalisht De Gasperin, në librin e vet “Valixhja diplomatike”, tregon se, kur ai qe ambasador i Italisë në Paris dhe De Gasperi qe kryeministër, gjatë një vizite të këtij të fundit në Paris, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, De Gasperi i ka thënë një herë: “Mendoj shpesh dhe me ankth për çastin kur do të më duhet të paraqitem para Zotit për të dhënë llogari për jetën dhe veprimet e mia”.
Është thellësisht iluzore të besohet se Balliu si një ish-aparatçik i regjimit komunist, një ateist militant që zhvillonte luftë kundër fesë si opium për popullin, një ish-shkrimtar i realizmit socialist që ka shkruar drama dhe tregime, ku personazhe negative janë priftërinjtë katolikë reaksionarë që helmojnë ndërgjegjen e masave punonjëse, t’i shikojë veprimet e veta nga pikëpamja e takimit me Krijuesin. Veç të tjerash De Gasperi ka qenë një politikan me integritet të lartë moral. Ai kundërshtoi, si fashizmin, ashtu dhe komunizmin. Për pasojë ai vuajti në burgjet e fashizmit dhe u vu në shënjestër për t’u asgjësuar fizikisht nga komunistët disa herë. Ndërsa Balliu e filloi karrierën e vet politike në kohën e diktaturës komuniste si gazetar i “Zërit të Popullit”, për ta vazhduar si funksionar i saj, në sajë të radikalizmit të vet të majtë, ndërsa më vonë u shndërrua në i djathtë radikal. Ndërsa parimi që përcaktonte bindjet politike të De Gasperit qe morali, parimi që përcakton bindjet politike të Balliut është amoraliteti pragmatist.
Me këtë xhybe anadollake të zbukuruar disi me ornamente “oksidentale”, Balliu ka dalë në gjuetinë e tij të fundit ndaj kasandrave antiberishiane, me shpresën se kështu do të shpëtojë, në mos fytyrën, përfitimet e majme të këtyre viteve të fundit. Në rastin me të mirë kjo mund të arrihet me sukses nën koracën e përfaqësuesit të popullit (nënkupto Berishës) në Kuvendin e Shqipërisë. Ku e gjen moralin ky njeri për të garuar për të katërtën herë në po të njëjtin komunitet që i ka thënë 3 herë radhazi një përgjigje refuzuese, njëra më pak elegante se tjetra? Te gjetja e tij gjeniale se shteti na qenkërka “një punishte misterioze e paanë, e pafund, e moralshme dhe e pamoralshme”. Por jo më pak edhe tek energjia që rrezaton pafytyrësia publike e Fatmir Mediut, që edhe pse është një nga inskenuesit kryesorë të trafikut ilegal të armëve që polli më pas edhe Gërdecin (Berisha në Hard Talk para pak ditësh i qëndroi besnik vetes, po e shiti “Mirin” duke pranuar se ky kishte dijeni se çfarë ndodhte në Gërdec), nuk ngurron që të shpallë nëpër tubime elektorale se “Partia Republikane është një parti e njerëzve të mirë e të përgjegjshëm”.
E meqë Mediu na kumton se në këtë botë, jo vetëm e keqja, por edhe e mira nuk paskërka fund dhe se për pasojë ne vdekatarët e thjeshtë e kemi të humbur betejën për t’u klasifikuar si njerëz të mirë, sa kohë që nuk jemi anëtarë të PR, Balliut i thjeshtohet puna. Mbush dogranë e tij të vjetër, zë pusinë dhe pret urdhrat telefonikë të liderit, me shpresë që ky i fundit të mos zgjatet shumë në monologët e tij telefonikë me Flamurin e PD. Kohët kanë ndryshuar disi në krahasim me vitet e zymta të opozitës. Tashmë, përpos besnikërisë proverbiale, lypset edhe që njerëzit rreth Berishës të jenë daltonikë, d.m.th., të mos dallojnë dot ngjyrat, të shquajnë të zezën si të bardhë dhe anasjelltas sipas rastit dhe nevojës. Edhe këtë Balliu e kryen me devotshmëri dhe brutalizëm në karabinë-gazetën e tij.
Së fundmi, kur disa media ia nxorën të palarat në shesh, ai në dalldi e sipër i shpalli luftë Presidentit të Republikës, Prokurorisë së Përgjithshme, kryetarit të opozitës, medieve dhe aradhes së pamat të qytetarëve të nderuar të këtij vendi që e neveritin si person, duke marrë herë poza martiri e herë gangsteri lagjeje që premton se do u punojë qindin atyre që guxuan që t’i prekin familjen. Për ironinë e radhës vetë Balliu gjatë prosvaljes së tij gazetareske nuk ka lënë shtrat bashkëshortor pa u futur ndër politikanë të ndryshëm me fakte ose gjysmë-thashetheme, në një kohë që në rastin e vajzës së tij gjithçka u faktua me shkresa. Për shkak të synimit të tij për t’u futur në listat e kandidatëve për deputet, Balliu ka tentuar së fundmi edhe miklimin e opinionit publik se ai është viktimë e një komploti të madh rajonal që kërkon të godasë “frëngjinë e vetme kundër së keqes në Ballkan” (vini re, deliri shpesh nuk ka nevojë për brirë).
Në funksion të këtij purifikimi “in ekstremis” të figurës së tij të llangosur fund e krye, është keqpërdorur edhe ambasada jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila me njëqind ndërhyrje e xhentilesa mezi i mundësoi një vizë disaditore Balliut për të vizituar tokën e premtuar. E ndërsa gojët e liga në Tiranë kishin filluar të thoshin se, për shkak të probleme eventuale me drejtësinë për shkak të dosjes “Gërdeci“, Balliu mund edhe të mos kthehej më nga SHBA, duke kërkuar strehim politik me tezën e diskretituar tashmë të antikomunistit të fundit në hapësirën e vendeve të ish-bllokut komunist, vjen për ironi edhe një deklaratë e çuditshme e ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers. Duke folur në një aktivitet më të rinjtë universitarë, Withers do të shprehej disa ditë më parë se “shqiptarët duhet që të respektojnë afatet e lejeve të qëndrimit në SHBA, në rast se duan që të marrin më shpesh viza...”
Pavarësisht se në daljet e fundit publike Berisha ka mbajtur një qëndrim haptazi të sikletosur ndaj Balliut, presionet e këtij të fundit për të qenë në listat për deputetë në qarkun e Elbasanit, janë nga më të ulëtat duke filluar nga kërcënimet për shitje të disa të vërtetave përvëluese, në momentin kur në PD pas humbjes së 28 qershorit do të fillojë beteja për kreun e ri të opozitës e deri te rreshtimi me eksponentë të partisë që ndonëse në publik nuk kursejnë lavdet për Berishën, në kulisa punojnë për veten dhe kundër skemave të përcaktuara nga udhëheqësi suprem.
Në këto kushte Berisha ka bërë një tolerim të vogël. Ka lejuar Balliun të marrë pjesë në tubimet paraelektorale, por duke qëndruar e urdhëruar në distancë të rreptë nga “primadonna“ e demokratëve në këtë qark, Lulzim Basha, e bashkë me të edhe larg objektivit të kamerave. Thjesht të rrijë atje tej, i zhytur aty në turmë. Por nuk është se kjo e mërzit “samaritanin” e mirë Fahri Balliu. “Këto punë duan durim - i përsërit ai vetes”. “Fatmiri burgut i shpëtoi, turpin e hëngri me bukë dhe ja ku krekoset podiumeve si në kohët e vjetra. Madje, ka nge që t’ua luajë me sy edhe mesograve në radhët e para të sallave. Unë, ç’është e vërteta, ndonjë bukuri të madhe nuk kam dhe thellë-thellë besoj se Zoti në rastin tim ka treguar se ka sens të madh humori. Por mbetem fisnik dhe i lezetshëm...” - mban me gajret vetveten.
E derisa Ajatollahu i PD të marrë një verdikt final, Balliu shtyn ditët duke kapërdirë shpërfilljen e injorimin dhe mban shpresë te hipoteka e vetme që nuk e ka lënë në baltë gjatë gjithë jetës së tij plot dritë-hije: servilizmi deri në jargavitje kundrejt padronit. Kjo është gjuetia e fundit, para se këto zgjedhje më shumë se fatlume për Shqipërinë, të jenë fatlume për vetë Partinë Demokratike që mjerisht prej 2 dekadash po mbahet peng nga një person që ka vendosur si mision personal hyrjen me zor në historinë e këtij vendi historikisht të përvuajtur. Kjo është gjuetia e fundit, përpara se këto zgjedhje t’i japin shansin forcës së parë antikomuniste në Shqipëri që të pushojë së qeni një kazermë ushtarake, që statutin e saj e përdor për higjienë personale në WC e selisë së saj, duke u rikthyer më në fund në një parti politike normale. Një parti që Statutin e përdor njëlloj sikundër simotrat e partive popullore evropiane (përjashto kështu Polin e Lirisë në Itali, të cilin fryma berluskoniane e bën një rast specifik). Kjo është gjuetia e fundit, përpara se t’i jepet Cezarit ajo që është e Cezarit dhe “Balliut ajo që është e Balliut”, ashtu si shpresohet që edhe Delijorgjit t’i jepet ajo çka është e tija. Përndryshe në këtë vend do të mbisundojnë ligji darvinian i xhunglës.
Vetë gazeta që drejton Balliu nuk kumton asnjë ide apo mesazh përveç batutës së dikurshme të Emanuel Kant: “Nëse faktet janë kundër meje aq më keq për faktet...” Gjithsesi, për t’i ardhur për shtat hipokrizisë së stisur nga interesa meskine të “Kalorësit të Krishterimit”, Fahri Balliu, më lejoni t’i kujtoj se çfarë thotë vetë Krishti, sipas Mateut: 23. Udhëheqës të verbër që shitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!. 24. Mjerë ju skribë dhe farisenj hipokritë! 25. Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot grabitje dhe teprime! 27. Mjerë ju o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish 28. Kështu dhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi... Ndërsa Lluka 20-21 shprehet “Dhe ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të tij: Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti. Ata gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe për t’u dukur bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë”.