E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Betimi i Presidentit/ Alibeaj: Marrim pjesë! Berisha: Vendosim të dielën

Partia Demokratike nuk ka ende një vendim nëse do të jetë ditën e diel në Kuvend, kur pritet që të betohet Presidenti i ri i vendit, Bajram Begaj.

Kështu u shpreh përmes një njoftim selia blu e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Vendimi nëse deputetët e PD-së, që mbështesin Berishën do të jenë në sallë, pritet të merret paraditen e të dielës.

Krejt tjetër qëndrim ka Enkelejd Alibeaj, i cili bëri me dije se deputetët që mbështesin atë do të jenë të pranishëm në ceremoninë e betimit të Presidentit të ri.

“Ne do marrim pjesë në seancën e nesërme në Kuvend. Seanca e nesërme është e parashikuar nga Kushtetuta. Qëndrimin tonë për z. Begaj e kemi mbajtur dhe është i qartë. Ai përfaqëson zgjedhjen e njëanshme të mazhorances dhe nuk  përfaqëson gjysmën e shqiptarëve. Por ka një ndryshim midis individit Bajram Begajt dhe Presidencës së Republikës si institucion. Kemi respektuar e do të respektojmë Kushtetutën dhe institucionet e jo individët. Jemi shumë të qartë në këtë pozicion. Edhe në 2017 kur z.Meta u zgjodh president PD atëherë nuk mori pjesë në votim por mori pjesë në ceremoninë e betimit.’- njoftoi Alibeaj.

Begaj do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend, ndërsa më pas do të zhvillohet në Presidencë edhe ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit.

Ceremonia pritet të fillojë në Presidencë në orën 18:45 me mbërritjen e personaliteteve të ftuar, ndërsa Begaj do të mbërrijë në orën 19:15. Begaj do të mbajë fjalën si Presidenti i ri i vendit në orën 19:40, pas dorëzimit të Kushtetutës nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›