E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Marrëveshja për menaxhimin e Butrintit, Kim: Fondi Shqiptaro-Amerikan s’ka qenë kurrë për fitim

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas miratimit në Parlament të Marrëveshjes së Menaxhimit të Butrintit, marrëveshje që ngjalli jo pak debate në politikën shqiptare.

Me një postim në Twitter, ambasadorja Kim shkruan se Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) nuk ka qenë kurrë për fitim apo shfrytëzim dhe se që kur është krijuar në vitin 2009, me mbështetjen e USAID, ka akorduar mbi 100 milion dollarë në mbi 70 projekte në Shqipëri.

“FAKT: Nuk ka qenë kurrë për fitim apo shfrytëzim. AADF u krijua në 2009 me mbështetjen e USAID për zhvillimin e sektorit të qëndrueshëm privat dhe demokracisë në Shqipëri. Që atëherë, AADF ka akorduar mbi 100 milion dollarë në mbi 70 projekte në Shqipëri, duke krijuar mbi 6000 vende pune dhe duke tërhequr mbi 300 milion dollarë nga investitorë të tjerë”, shkruan Kim.

Me vetëm votat e maxhorancës, Kuvendi miratoi më 15 korrik projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.

Disa deputetë të opozitës e kundërshtuan ashpër, duke e cilësuar modelin e menaxhimit si dhënie me koncension të pasurive kombëtare.

Marrëveshja ka një afat 10-vjeçar dhe parashikon investime për promovimin turistik dhe mirëmbajtjen e Butrintin në vlerën 5 milionë USD nga AADF dhe 2 milionë USD nga të ardhurat e deritanishme të Butrintit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›