Meta në Kosovë, takohet me Kurtin: Bashkëpunim rajonal vetëm përmes nismave si Procesi i Berlinit

Presidenti Ilir Meta vijon me vizitën e tij në Kosovë, e fundit si kreu i shtetit, ndërsa këtë të shtunë është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë foto nga takimi me Kurtin, Meta ka kundërshtuar edhe njëherë nismën “Ballkani i Hapur”, teksa shkruan se bashkëpunimi rajonal duhet të bëhet vetëm nëpërmjet nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit.
“Shumë e përzemërt pritja nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë tepër të frytshme. Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara. Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur. Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian. Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit. Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, shkruan Meta.
Presidentit Meta i mbaron mandati ditën e nesërme, ku në të njëjtën ditë do të betohet edhe Presidenti i ri, Bajram Begaj.
/rtsh.al/