E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betohet Muja

Komuna e Prizrenit mbajti seancën inauguruese të kuvendit komunal, në të cilën të gjithë 41 kuvendarët ishin të pranishëm dhe dhanë betimin se do të jenë konsekuent në zbatimin e ligjit dhe rregulloreve të punës së kuvendit.

Pas betimit të kuvendarëve betimin e bëri edhe kryetari i komunës, Ramadan Muja.

Seanca inauguruese u kryesua nga përfaqësuesi më i vjetër i këshilltarëve të cilët kanë fituar mandatin në zgjedhjet e lira lokale me 15 nëntor 2009, Cenë Fanaj.

Muja, pas dhënies së betimit mbajti një fjalë rasti dhe përshëndeti të gjithë kuvendarët për punë të suksesshme gjatë këtij mandati politik katërvjeçar.

“Si kryetar i komunës zotohem sot para jush se do të jem në lartësinë e përgjegjësive të mija politike dhe ligjore me qeverisjen e komunës. Po ashtu kërkoj nga ju kuvendar të nderuar qe të jeni sa më të përgjegjshëm në zbatimin e obligimeve tuaj ligjore e politike dhe të reflektoni gatishmëri për të kooperuar dhe bashkëpunuar në të mirë të të gjithë qytetarëve të komunës sonë", tha Muja.

Ndërsa, në pikën e tretë të rendit të punës u votua për kryesues të kuvendit të komunës. Partia demokratike e Kosovës propozoi Njazi Kryeziun për kryesues, ndërsa partitë opozitare propozuan Lulzim Kabashin.

Kuvendaret përmes votës së fshehtë zgjodhën Njazi Kryeziun për kryesues të kuvendit komunal me 22 vota pro, ndërsa Lulzim Kabashi mori gjithsej 19 vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›