Betohet para Presidentit gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj

Holta Zaçaj është betuar para presidentit të vendit, Bajram Begaj si gjyqtare e re e Gjykatës Kushtetuese.
Përmes njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se Zaçaj është betuar pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit duke deklaruar se do t’i qëndrojë besnike Kushtetutës së vendit.
“U zhvillua sot përpara Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, ceremonia e betimit e anëtarës së Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimit përkatës të emërimit të saj nga Gjykata e Lartë, gjyqtarja Holta Zaçaj bëri betimin: “Gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.” Presidenti Begaj i uroi suksese zonjës Holta Zaçaj në detyrën e re”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Zaçaj u zgjodh më 16 janar të këtij viti nga Gjykata e Lartë si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj do të zëvendësojë gjyqtaren Vitore Tusha, së cilës i kishte përfunduar mandati që në vitin 2017. Në garë për vendin e gjyqtares në Kushtetuese ishte edhe prokurorja e Tiranës, Elsa Miha.
Sipas jetëshkrimit të avokates Holta Zaçaj, e publikuar në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë, sqarohet se ajo është “avokate e specializuar në të drejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksioneve me pasuri të patundshme”.
Gjithashtu, ajo është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Mbrojtësit Publik-Divizioni për fëmijët dhe familjen në shtetin e Massachusetss në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/rtsh.al/