Marrëveshja e Berishës me Dulen për 14 majin, Meta: Hap i rëndësishëm i bashkimit të opozitës

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përshëndetur marrëveshjen parazgjedhore mes Sali Berishës me PBDNJ-në e Vangjel Dules për zgjedhjet e 14 majit. Këtë marrëveshje Meta e shikon si bashkim të opozitës për të sjellë fitoren në zgjedhjet vendore dhe për t’i dhënë fund sipas tij monizmit në vend.
“Përshëndesim marrëveshjen e sapo nënshkruar midis Partisë Demokratike dhe PBDNJ, si një hap i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe bashkimit të opozitës për Fitoren e Ndryshimit në 14 Maj, për t’i dhënë fund monizmit në pushtetin vendor dhe rivendosur Llogaridhënien dhe kontrollin e qytetarëve”, shkruan Meta.
Ditën e sotme kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka arritur një marrëveshje parazgjedhore me kreun e PBDNJ për zgjedhjet e 14 majit.
/rtsh.al/