Biba: Ika sepse presioni nga politika u bë i pamenaxhueshëm. Çështja në nivelet e dyta zgjidhet vetëm politikisht
I ftuar në Tonight Ilva Tare, ish- nënkryetari i KQZ i dorëhequr, Denar Biba, i pyetur se si erdhi dorëheqja e tij nga ky institucion, tha se në këtë pikë ku kishin shkuar gjërat, nuk mund të vazhdohej më tej, duke iu referuar vendimit të parlamentit ditën e hënë për shkarkimin e njërit prej anëtarëve të KQZ, të propozuar nga LSI me pretendimin se institucioni duhej balancuar pas shkëputjes së LSI nga koalicioni qeveritar.
Erdhi me një akumulim të natyrshëm i një ngjarje shumë të panatyrshme nga konteksti ligjor. Ndërsa jemi përzgjedhur në KQZ përtej çfarëdo lloj prapavije, sepse ne në një mënyrë apo një tjetër vijmë të propozuar nga struktura politike parlamentare, ne kemi bërë një betim, kemi bërë betim tu siguronim shqiptarëve përmes paanësisë sonë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ishte misioni, misioni të cilin erdhëm në një pikë të caktuar që e pamë që nuk mund të shkonte përtej. Ne e kemi bërë atë betim dhe ajo çka ndodhi ishte një marrje përballë, ekzakt sikur na erdhi një tren drejt e në fytyrë, i një qasje shumë të rëndomtë, jashtëzakonisht të rëndomtë dhe vulgare e të keqe të politikës së ditës e cila na donte neve akoma më të politizuar edhe nga çpretendonte paraprakisht, edhe nga çdyshohej tek secili nga ne. Na donte të rreshtuar. I keqi, por i keqi jonë, dhe ti kemi të këqijtë të baraspeshuar në KQZ. Nuk mund të ishte kështu sepse secili nga ne para se të shkonte në KQZ, kishte një emër. Ai emër na solli në KQZ. Atë emër më ka lënë familja, atë emër do të mbroj.
Biba ka thënë se sipas këndvështrimit të tij qeveria ka vetëm përmbushjen e detyrimeve financiare kundrejt institucioneve të tjera, duke lënë të kuptohet se KQZ është e pavarur dhe është e vetmja që ka përgjegjësi në zhvillimin e zgjedhjeve në vend.
Të thuash që qeveria ka përgjegjësi në lidhje me zgjedhjet në Shqipëri është njëlloj sikur të thuash që qeveria, veçanërisht ekzekutivi paskësh përgjegjësinë për drejtësi në Shqipëri. Kush janë pikat e kontaktit në të dy rastet, si në rastin e drejtësisë, si në rastin e KQZ. Ne bëjmë detyrat që na jepen në ligj. Ata japin drejtësi duke zgjidhur konfliktet, ne menaxhojmë zgjedhjet dhe çojmë vendin në zgjedhje, i mundësojmë shqiptarëve të votojnë në mënyrë të lirë dhe të ndershme. Ajo çka bën qeveria në të dyja rastet është buxheti që i jep si drejtësisë, edhe KQZ. Qeveria ka një mision që mund ta evidentojmë edhe si mision logjistik në zgjedhje.
Politika në përgjithësi ka përgjegjësinë për zgjedhjet pa standarde ose me standarde jo të mjaftueshme edhe se vendet e rajonit, e cila ka ndikuar dhe te KQZ përmes përzgjedhjesh të gabuara, përmes një presioni të jashtëzakonshëm rrjedhojë e të cilit unë dhashë dorëheqjen atëherë kur ai u bë i pamenaxhueshëm nga unë.
I pyetur se si do të mund të zgjidhej problemi i krijuar në komisionet e niveleve të dyta e të treta nga lëvizja e LSI në krahun e kundërt politik, ai u përgjigj:
Gjithë problemi është tek KZAZ-të sepse komisionet e qendrave të votimit (KQV) do të zgjidheshin nga KZAZ në bazë të ligjit sikundër ishte në atë moment. Ato ende nuk janë formësuar, nuk janë konstituar, dhe në atë moment do të zgjidheshin me ndryshimin e konfigurimit sikundër e interpretoj unë ligjin. Ajo çka ishte problemi ishin KZAZ-të vetë të cilat ishin konstituar përpara ndryshimit politik, përpara largimit të LSI nga mazhoranca dhe bashkimit të saj me opozitën. Ato ishin konstituar, anëtarët e KZAZ-ve kishin bërë betimin dhe kishin gati një javë në momentin kur ndodhi ndarja që kishin filluar detyrën, kishin bërë edhe mbledhjet e para. Kishin bërë betimin e kështu me radhë. Me këto çfarë do të ndodhte? Ligji nuk e parashikon këtë situatë. Proceduralisht ne nuk mund të bënim asnjë gjë. Janë të mirëpërcaktuar rastet e shkarkimit apo të ndërprerjes së detyrës, të largimit të tyre, të anëtarëve të KZAZ nga KQZ.
Unë jam shprehur publikisht në një intervistë në një gazetë të përditshme shqiptare, kështu që do ti qëndroj atij pohimi tim që kjo mund të zgjidhej vetëm politikisht. Do të ishte shumë e mençur dhe e kanë thënë edhe jurist të tjerë, ish drejtues të KQZ, një ndërhyrje e legjislativit do të ishte ndërhyrja më perfekte përmes një dispozite tranzitore në Kodin Zgjedhor të menduar vetëm për këto zgjedhje dhe vetëm për këtë rast për të rregulluar situatën anormale të krijuar. Kodi Zgjedhor është një akt i miratuar me shumicë të cilësuar, me 3/5 e parlamentit të Shqipërisë, kështu që nëse do të ndodhte ky ndryshim do të thotë që do të ishte vullnet i përbashkët i shumicës absolute të parlamentit.