E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: Demokraci në PD

Tiranë - Deputeti dhe Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, thekson domosdoshmërinë e përshpejtimit të fushatës së zgjedhjeve të reja partiake në Tiranë, si dhe në degët e tjera të papërfunduara, me qëllim përgatitjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, por edhe përgatitjen e për zgjedhjet e 28 Qershorit.

Në një prononcim për mediat, deputeti Biberaj shprehet për zgjedhjet në Tiranë se “është tepër e domosdoshme që dega e PD-së e Tiranës të ketë një lidership të ri dhe të aftë, me autoritet dhe personalitet, me kontribute në PD, si dhe përfaqësues të interesave të demokratëve tiranas, me qëllim që Tirana të garantojë fitoren në zgjedhjet e 28 Qershorit. Tirana, duke qenë kryeqytet, por edhe duke pasur 32 deputetë në Parlamentin e ardhshëm, ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi përcakton fituesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pra edhe qeverisjen e ardhshme”.

Deputeti Biberaj gjykon se “lidershipi i ri i PD-së Tiranë mund të zgjidhet me parimin ‘një anëtar një votë’, duke u nisur jo vetëm nga rëndësia që ka Tirana, por edhe me qëllim që të fillojë aplikimi i këtij parimi demokratik, si dhe të implementohet një konkurrencë reale ndërmjet kandidatëve, me qëllim fitoren e më të mirit. Aplikimi i këtij parimi do të gjallëronte strukturat e PD-së Tiranë, pasi demokratët e Tiranës do të ndjeheshin të respektuar dhe të motivuar nëpërmjet votimit direkt për lidershipin e tyre, shprehje kjo e demokracisë direkte në parti. Aplikimi i këtij parimi do të rriste ndjeshëm demokracinë dhe transparencën brenda partisë, do të çlironte shumë energji pozitive, si dhe do të krijonte një klimë bashkëpunimi dhe uniteti, gjë kjo tepër e domosdoshme në prag fushate elektorale.

Parimi ‘një anëtar një votë’ është parimi më demokratik, i cili aplikohet si nga Partia Rebublikane dhe ajo Demokratike në SHBA por edhe nga të gjitha Partitë Popullore Europiane”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›