Kavajë, Bashkia ndalon mitingun e PS.
Qendra Kulturore e qytetit të Kavajës është bërë shkak për deklaratat e ndërsjellta mes Partisë Socialiste dhe Bashkisë së qytetit. Socialistët kërkuan pak ditë më parë sallën e qendrës për datën 20 mars që të zhvillonin aty takimin e radhës me qytetarët, por vetëm sot Bashkia e Kavajës dërgon një shkresë me përgjigje definitive pranë zyrave të Partisë Socialiste ku lajmëron se salla nuk mund të përdoret në datën e kërkuar, pasi aty do të zhvillohen prova për grupin artistik që do të marri pjesë më festivalin folklorik të Gjirokastrës.
Lidhur me këtë gjë ka reaguar menjëherë deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, i cili e ka quajtur një turp shkresën e Bashkisë. PS-ja kishte planifikuar për nesër të bëntë një takim me kryetarin Edi Rama dhe me vullnetarët në qytetin e Kavajës në Pallatin e Kulturës. Dërguam shkresën zyrtare para disa ditësh, nuk morën asnjë përgjigje. Sot patëm përballë një sjellje të patolerueshme të një përfaqësuesi të pushtetit vendor, i cili nuk denjoi të na priste, po nuk pranojë të na jepte as shkresën, nuk e kuptoj se nga vjen kjo frikë. Askush nuk mund të ndalojë ndryshimin, askush nuk mund të sillet kështu dhe një person i tillë nuk e meriton të përfaqësojë popullin e Kavajës, tha deputeti i PS-së Harasani. Sipas shkresës së Bashkisë, deklarohet se aktivitetet kulturore kanë përparësi para mitingjeve politike, për këtë arsye është marrë edhe një vendim i tillë.