Biberaj: Klasa politike të marrë përgjegjësitë përpara qytetarëve shqiptarë

Tiranë, 31 janar NOA - Ish-zëvendëspresidenti
i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj ka lëshuar
sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka përshëndetur Rezolutën e
miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke e vlerësuar
atë si një dokument profesionist, realist dhe të ekuilibruar.
Biberaj vlerëson vizitën së shpejti në Shqipëri të Komitetit Presidencial të
Asamblesë Parlamentare të KE-së, si dhe të reportereve të Komitetit të
Monitorimit për Shqipërinë, mision ky që do të asistojë dhe mbështesë
Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në rolin e tij të mediatorit dhe në
përpjekjet e tij për rikthimin e dialogut politik dhe gjetjen e zgjidhjes së
krizës politike që po kalon vendi. Biberaj u ka bërë thirrje liderëve të maxhorancës dhe opozitës të ngrihen mbi
interesat personalo-politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre përpara kombit,
të vendosin interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbi gjithçka, dhe në zbatim
edhe të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, të fillojnë sa më shpejt
negociatat në tryezën institucionale dhe kushtetuese të Presidentit të
Republikës, me qëllim zgjidhjen sa më shpejtë të krizës politike dhe vazhdimin
e reformave për liberalizimin e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit politik, si dhe bojkoti institucional, po
dëmton rëndë imazhin e vendit dhe funksionimin e institucioneve demokratike në
vend, si dhe po rrezikon seriozisht ngadalësimin e reformave dhe procesin e
integrimit të vendit në BE, shprehet Biberaj.
Sipas tij vazhdimi i mëtejshëm i krizës
politike, mund të rëndojë edhe më tepër krizën ekonomike, sikurse mund të
nxisë, apo edhe të gjenerojë kriza të tjera te karakterit social dhe shoqëror.
k.k/NOA