E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, gati zyrat për 140 deputetët

Çdo hapësirë e godinës së ish-Komitetit Qendror, aktualisht Kryesia e Kuvendit, do të shfrytëzohet për zyra të deputetëve. Burime pranë kryetares Jozefina Topalli bëjnë të ditur se momentalisht janë bërë gati 14 zyra, të cilat më parë kanë shërbyer si mjedise për Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë, Ministrisë së Integrimit dhe asaj të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas zhvendosjes së tyre nga godina e Kryesisë së Kuvendit, tashmë ato po kompletohen për t’u ardhur në ndihmë deputeteve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre si ligjvënës. Fillimisht janë vetëm 14 zyrat janë në funksion të deputetëve, ndërkohë që më vonë do të bëhen gati edhe të tjera. Në një zyrë do të punojnë 3-4 deputetë pa llogaritur pjesën tjetër të zyrave ku zhvillojnë mbledhjet komisionet parlamentare. Vendimet e marra nga seanca plenare vijnë si rezultat i një pune përgatitore të zhvilluar në komisionet parlamentare, të specializuara në sektorë të ndryshëm. Komisionet parlamentare përbëhen nga deputetë, në mënyrë që të respektojnë, për sa është e mundur, raportet numerike të forcave politike të pranishme në Kuvend. Aktualisht veprojnë 8 komisione të përhershme, të cilat dallohen në bazë të fushave të përgjegjësisë që mbulojnë. Komisionet parlamentare përkufizohen si kolegje parlamentare të lidhura ngushtë me kompetenca të veçanta dhe që pasqyrojnë përbërjen politike të Kuvendit. Përbërja dhe kompetencat e tyre, si dhe karakteri i tyre i vazhdueshëm janë objekt i dispozitave të Rregullores parlamentare. Por përveç 8 këtyre zyrave dhe atyre të grupeve parlamentare, deputetët tashmë do të kenë komoditetin e qëndrimit në zyrë me më pak veta sesa më parë, sepse deputetët përfaqësojnë zgjedhësit: fjala “deputet” do të thotë “përfaqësues” dhe atyre u duhen krijuar të gjitha kushtet për të bëra sa më mirë punën që u ka caktuar Kushtetuta e vendit. Sipas dispozitave kushtetuese, çdo deputet, edhe pse i zgjedhur në një zonë të caktuar zgjedhore dhe nga një parti politike e caktuar, përfaqëson të gjithë popullin. Kuvendi përfaqëson orientime të ndryshme politike. Funksionimi i plotë i tij ka si premisë ekzistencën e grupeve parlamentare. Këto të fundit pasqyrojnë drejtimet e shprehura nga zgjedhësit sipas grupimeve të ndryshme. Deputetët bashkohen në grupe parlamentare, numri i të cilit, si rregull, është mbi 7 deputetë. Sipas Kushtetutës shqiptare, e shpallur me dekretin nr. 2260, datë 28.11.1998 nga Presidenti i Republikës, pushteti ligjvënës i është atribuuar Kuvendit të Shqipërisë, i cili përbëhet prej 140 deputetësh. Deputetët zgjidhen çdo katër vjet nga të gjithë qytetarët që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Mandati 4-vjeçar zgjatet vetëm në rast lufte dhe për sa kohë që vazhdon ajo. Kuvendi është shprehje e sovranitetit të popullit dhe deputetët e tij meritojnë të gjitha hapësirat e duhura për të përmbushur më së miri misionin e ligjbërësit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›