E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj: PD është kthyer në vendimarrje klienteliste

“Procesit të numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së i ka munguar totalisht transparenca, gjë që përbën edhe një cenim të rëndë të themelit të demokracisë, për të mos thënë që manipulimi dhe falsifikimi i votës shënon edhe fundin e demokracisë”, u shpreh Biberaj për mediat. Fatkeqesisht në PD, sipas Biberajt, “çdo ditë e më shumë po mbytet fryma intelektuale dhe ajo qytetare, fryma e debatit po zëvendësohet me atë të nënshtrimit dhe të servilizmit ekstrem, fryma e bashkëpunimit po zëvendësohet me atë të klanit dhe të spastrimeve, apo përjashtimeve politike, vendimarrja kolegjiale po zëvendësohet nga vendimarrja klienteliste dhe autoritariste e UNI-t, vlerat po zëvendësohen nga antivlera; fenomene këto tepër negative që po dëmtojnë rëndë të ardhmen e PD-së, por edhe po shuajnë gradualisht traditën, kontributet dhe vetë historinë pozitiviste të PD-së". Ai tha më tej se po vazhdon të analizojë situatën e sëmurë rëndë në PD, duke shprehur njëkohësisht edhe bindjen e tij se nuk mund ta nxjerrë nga politika një klikë të korruptuarish që padrejtësisht ka marrë në zotërim PD-në. Duke gjykuar se ka humbur një betejë, por jo luftën, Biberaj konkludon se nuk ka gjë më fisnike, qytetare dhe patriotike sesa të luftosh për parimet dhe idealet e lirisë.                                                                                              

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›