E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biberaj dhe Rusmali me dy linja të ndryshme

26/01/2009  Delegacioni i Parlamentit shqiptar niset drejt Strasburgut

Delegacioni i Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të paraqitet me dy kryetarë. Ditën e djeshme janë nisur drejt Strasburgut Aleksandër Biberaj, kreu i delegacionit dhe Ilir Rusmali, i propozuari nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si zëvendësuesi i Biberajt. Të dy janë nisur me dy linja të ndryshme ajrore. Situata duket se nuk paraqitet i qetë për delegacionin shqiptar në Asamble. Pak para nisjes drejt Strasburgut, Biberaj ka deklaruar se niset për në Strasburg me statusin e kryetarit të delegacionit të Parlamentit shqiptar në APKE. Sipas tij, shkarkimi nga posti që gëzon është bërë tërësisht në shkelje dhe në kundërshtim të hapur me Rregulloren e Parlamentit. Biberaj nënvizon se me vendimin e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka anashkaluar dhe ka shkelur legjislacionin shqiptar dhe më saktë nenin 7 të Rregullores së Parlamentit, ku saktësohet përbërja e delegacioneve të përhershme në organizatat ndërkombëtare dhe mënyra e zgjedhjes së tyre. “Të vjen keq kur një gjë e tillë bëhet nga Kryetarja e Kuvendit, e cila duhet të jetë e para në mbrojtje të ligjit”, ka deklaruar Biberaj. Ai thekson se shkon në Strasburg në përputhje me principet dhe parimet e demokracisë dhe të standardeve demokratike të Këshillit të Evropës. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, i cili mban edhe postin e zëvendëspresidentit të APKE-së, mandatet që i gëzon janë tërësisht ligjore dhe juridike. Për sa i përket fatit të kësaj historie, Biberaj ka thënë se do të jenë strukturat e Këshillit të Evropës, të cilat do të vendosin mbi kërkesën e Kryeparlamentares Topalli për ta zëvendësuar atë me deputetin tjetër demokrat Ilir Rusmali. “Për kërkesën do të vendosin strukturat e KE-së, por meqenëse nuk është ligjore besoj se nuk do të merret parasysh”, ka deklaruar Biberaj. Situata e pakëndshme e përbërjes së delegacionit të Parlamentit shqiptar në APKE erdhi si pasojë e letrës së drejtuar këtij institucioni nga ana e Kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila kërkonte zëvendësimin e Biberajt me Rusmalin. Kjo kërkesë nuk është bërë publike nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mësohet se nuk jepen sqarime në lidhje me kërkesën në fjalë. Letra në fjalë i është drejtuar kryetarit të Asamblesë Luis Maria de Puig dhe Sekretarit të Përgjithshëm të KE-së Terry Davis. Por kërkesa bie ndesh me rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka tagrin që përmes votimit të realizojë zëvendësimin e anëtarëve të delegacioneve të përhershme, procedurë që është anashkaluar nga Topalli. Këtë situatë e ka vlerësuar negativisht edhe Kryetari i Komitetit Politik në Këshillin e Evropës, Goran Lindblad. Në një intervistë ekskluzive për “Metropol”, ai është shprehur se ngjarje të tilla si ajo me deputetin Biberaj dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Duke komentuar vendimin e Kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli për të ndryshuar kreun e delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, Lindblad thekson se “në qoftë se veprimi është në kundërshtim me rregullat parlamentare, atëherë Kryetarja e Kuvendit ka bërë një gabim, i cili vërtet nuk është i pranueshëm”. Shqipëria përfaqësohet në APKE nga zëvendëspresidenti Biberaj edhe nga Kastriot Islami, Lajla Përnaska, Diana Çuli dhe Paskal Milo. Këshilli i Evropës ka në përbërje 47 vende dhe Shqipëria është vend anëtar që më 13 korrik 1995.

Aleksandër Biberaj

Aleksandër Biberaj është zgjedhur në postin e zv/presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth 2 vjet më parë. Ndër të tjera, mban edhe në postin e zv/kryetarit të grupit parlamentar të PPE-së, grupimi më i madh parlamentar i Këshillit të Evropës.

Kërkesa për zëvendësim

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i ka kërkuar përmes një letre Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, largimin e deputetit Aleksandër Biberaj si pjesë e delegacionit të Parlamentit shqiptar. Kërkesa është dërguar në Strasburg rreth një javë më parë.

Mbledhja Asamblesë

Ditën e sotme nis takimi pesëditor i Asamblesë. APKE ka një rend dite të përcaktuar prej disa ditësh, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni të rëndësishëm. Pasoja e konfliktit Rusi-Gjeorgji, situata në Gaza etj, do të jenë në qendër të diskutimeve

Rendi i ditës i APKE-së

Mbledhje për të diskutuar çështje ndërkombëtare

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) nis sot takimin pesëditor, me një rend dite të përcaktuar prej kohësh. Sipas faqes zyrtare në internet të KE-së, sezoni i dimrit i APKE-së do t’i kushtojë vëmendje pasojave të luftës ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, situatën në Gaza dhe krizën financiare globale. Sipas njoftimit për shtyp, pika kryesore e këtij sesioni do të jetë implementimi i rezolutës 1633 të tetorit 2008, mbi pasojat e luftës mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, pasojat humane që shkaktoi ky konflikt. Parlamentarët, thuhet në njoftim, do të diskutojnë mbi raportin e deputetit belg të grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane, Luc Van den Brande dhe atij hungarez Mátyás Eörsi, bashkëraporterë të Komitetit Mbikëqyrës të Asamblesë. Po ashtu do të diskutohet edhe mbi raportin e deputetet holandeze të PPE-së Corien W.A. Jonker, reportere e Komisionit të Migracionit, Refugjatëve dhe Popullsisë. Gjithë këto raporte do të mbahen pas vizitave që këto deputetë kanë zhvilluar në këto vende. Byroja e APKE-së ka propozuar një debat mbi situatën në Gaza dhe një debat urgjent mbi pasojat e krizës globale financiare. Asambleja do të diskutojë edhe mbi implementimin nga ana e Armenisë të rezolutave 1609 dhe 1620, të miratuara në muajin prill të vitit të kaluar. Gjithashtu është parashikuar që gjatë ditës së nesërme Kryeministri i Spanjës José Luis Rodríguez Zapatero të mbajë një fjalim. Gjithashtu axhenda e punimeve të APKE-së parashikon edhe disa pika të tjera diskutimesh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›