E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biblioteka e Durrësit, në prag të shembjes



Godina e bibliotekës së Durrësit rrezikon të shembet dhe bashkë me të rrezikohen edhe vlera të rralla të enciklopedive dhe katalogëve që ruhen prej vitesh në këtë ndërtesë. Reshjet e muajve të fundit e kanë rënduar edhe më shumë situatën, ndërkohë që uji futet pothuajse nga të gjitha anët, nga tarraca, muret dhe kati nën dhe që nuk përmbush kushtet e duhura për ruajtjen e librave. Drejtoresha e bibliotekës, Flora Dervishi, tha për “standard” se “nga kjo gjendje e krijuar nga uji që hyn brenda dhe lagështira tepër e madhe rrezikohen librat me moshë pesëshekullore që po hyjnë në shekullin e 6-të dhe katalogët e periodikëve që gjenden në katin përdhe”. Sipas saj, “godina e bibliotekës mendohet se ka një moshë prej rreth 100 vjetësh. Ajo ishte rezidencë e një misionari italian në vitet '30, ndërkohë që në vitin 1945 u adaptua nga shtëpi banimi, në godinë biblioteke”. Ky është viti që njihet si viti i themelimit të bibliotekës publike të qytetit të Durrësit, e cila aktualisht ka në fondin e saj 200 mijë libra. Amortizimi i godinës ka nxjerrë të nevojshme edhe kryerjen e një ekspertize inxhinierike, e cila mban firmën e arkitektit të mirënjohur Luigj Aleksi. Në raportin që është dërguar bibliotekës thuhet midis të tjerash se godina po shkon drejt amortizimit dhe nuk mund të kryhet riparim apo rikonstruksion i saj në kushtet aktuale. Drejtoresha Dervishi shprehet: “Rrezikohet mjaft fondi i vlerave të rralla, enciklopeditë në gjuhët anglisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe rusisht, ku enciklopedia angleze mban vitin 1910”. Këto enciklopedi gjenden në zyrën e drejtimit, por tavani i saj pikon vazhdimisht dhe dyshemeja qëndron e lagur nga uji. Lagështira e tepërt ka nxjerrë jashtë loje edhe inverterin që u mundësua me donacione të huaja në vitin 1997, i cili shërbente për orët që kishte ndërprerje të energjisë elektrike. Sinjalet që rrezikojnë librat që gjenden në këtë bibliotekë u dhanë edhe nga ekspertët e librit, të cilët thonë se mungesa e dritës, ngushtimi i vazhdueshëm i hapësirave ku mbahen librat, bën që ata të dëmtohen shumë shpejt. Në katin e nëndheshëm janë vendosur katalogët e periodikëve, por katër prej tyre janë hequr për shkak se nuk ka vend për ta. Kërkesat që janë dërguar çdo vit në bashki, nuk kanë marrë përgjigje, ndërkohë që drejtuesit e bashkisë janë shprehur publikisht se nuk gjejnë dot një truall për ndërtimin e një biblioteke të re. Biblioteka pasurohet ritmikisht me libra të rinj, por në analizën vjetore të këtij institucioni është bërë e ditur se mjaft kërkesa që ishin bërë që në fillim të vitit 2008, nuk u realizuan, ku ndër to ishin ndërhyrja për mirëmbajtjen e godinës, vendosja e dy dritareve në fondin e vlerave të rralla të fonotekës, restaurimi i bibliotekës së fëmijëve dhe mbyllja e ballkonit për arsye sigurie.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›