“Nëntoka 3”, film i dështuar i Budakovës
Me duartrokitje të gjata e që ishin tejet konfuze nga publiku, u prit filmi më i ri i regjisorit Halil Budakova “Nëntoka 3”, e me skenar të Reshat Sahitaj, që u dha premierë të premten në kinemanë “ABC” në Prishtinë. Filmi është bazuar kinse në një realitet kosovar, sepse tema që trajtonte ndodh ndokund e fshehur thellë në Kosovë, por nuk është temë që ia vlen të merremi. Mesazhi kryesor është se drejtësia fiton. Bandat e nëntokës, që këmbët e tyre janë të fshehura sikurse të gjarprit, arrihen të zbulohen nga policia e Kosovës. Krimet e organizuara, përfshirja e tyre në çdo sferë, e që bosi i tyre kryesor është personazhi me emrin Din, munden nga policia e Kosovës, të cilët në mënyrë tejet tinëzake i arrestojnë kriminelet, por pas arrestimit ndodh një përleshje ndokund thellë në male mes bandës dhe policisë, ku rrethi i ngushtë i personazhit Din vriten. Personazhin e Dinit e luante aktori Adem Zhitopotoku. Ai disi ishte munduar të futej në psikologjinë e personazhit, të zbulonte atë sekretin e brendshëm të një mafiozi udhëheqës. Ftohtësia e tij ndaj të tjerëve nuk mungonte, në mënyrë të natyrshme ai ka zhveshur atë perden e personazhit, por nuk mjaftonte kjo, sepse “garnitura” e aktorëve të tjerë, që unë do t’i quaja amatorë, fare nuk ishin njohur me rolet e tyre, ata në asnjë moment nuk janë ndeshur me personazhin. Fjalët që i flisnin ishin të interpretuara fals, pa ndonjë logjikë ose aksent, thjesht sipërfaqësisht e nganjëherë kalonin edhe në komedi të panevojshme. Unë mendoj se rolet nuk janë shpjeguar nga regjisori, ngase regjisori bart barrën më të madhe të filmit, andaj ai nuk guxon ta lërë këtë problem në dritë, por ta eliminojë, e nëse nuk mund ta eliminojë, duhet ta ndërrojë aktorin gjë që nuk e ka bërë Budakova. Ndërkaq, rolin e tij ai është munduar paksa ta ndërtojë më mirë, të bëjë një analizë më të thellë, të krijojë plane të kamerës më të kthjella, më tërheqëse, duke i lënë të tjerët të fundosen në humnerë të pakuptueshme. Budakova interpretonte një agjent të plagosur i cili një pjesë të madhe të kohës e kalonte në spital, i trullosur, e i lodhur nga plagët e shkaktuara nga bandat e mëhershme. Xhelati i tij, Dini, rrëmben djalin e tij të vogël. Këtë nuk e bënë për para, ngaqë Dini ka para të majme, por vetëm t’i shkaktojë dhembje shpirtërore Budakovës. Emocionet trishtuese të rrëmbimit të vogëlushit fare nuk përcillen nga Budakova, disi ftohtë ai e luan këtë situatë shpirtërore prekëse. Dini lehtësisht e rrëmben dhe menjëherë e lëshon në liri vogëlushin, dhe në fund, vret veten pa kurrfarë arsyeje. Ky personazh ishte i pashpirt në fillim, por skenaristi në fund e paraqet si human të paarsyeshëm, një vepër e tij e panevojshme, një gabim i pafalshëm i skenaristit. Nuk e di përse në aq mënyrë naive ky personazh na shfaqet si human, kur humanizmi i tij me siguri se ekziston ndokund në thellësi, por jo në këtë situatë të caktuar, sepse na del personazh naiv, “i pashminkuar”, i zbehtë, ose i padetajuar nga skenaristi. Skenografia ishte natyraliste, e përshtatur tamam sipas esencës së skenarit dhe vendet ku xhiroheshin situatat ishin tejet të bukura, vërehej një investim bukur i madh material, e që nuk ka shkuar kot. Ndërkaq, kuadrot nuk ishin në nivel të mirë dhe fotografia e filmit kishte paksa defekte sa i përket ngjyrës. Skenat që janë xhiruar në qiell të hapur, nuk qëndronin keq me fotografi, por ato brenda kishin paksa ngjyra të zbehura dhe monotone, të papranuara nga publiku, i cili si duket, duartrokiste për dëshirën e aktorëve që ishin të pranishëm në sallë. Andaj, i tërë filmi ishte i dështuar, i paprofesionalizuar, por vetëm i krijuar mbi bazat e amatorizmit konfuz, pa ndonjë veçanti estetike, por vetëm sipërfaqësore dhe të papranueshme.
*Autori është magjistër i dramës