Cani: Dobësimi i lekut vështirëson kthimin e kredive
Dobësimi i lekut përballë valutave të huaja do të sjellë vështirësi për të kthyer kreditë. Por, rritja e kredive të këqija mund të kthehet në një rrezik për vetë sistemin bankar. Ky është një ndër efektet negative që do të sjellë zhvlerësimi i lekut në treg përballë monedhave të huaja. Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, në një intervistë dhënë për gazetën “standard” analizon shkaqet që sollën nënçmimin e lekut dhe efektet negative që përcillen në gjithë sektorët e ekonomisë. Cani thekson se dobësimi i lekut do të vështirësojë kthimin e kredive, pasi qytetarët marrin paga në lekë dhe duhet të shpenzojnë më shumë për çdo euro që do të blejnë për këstin mujor. Kjo, sipas tij, do të ndikojë në kthyeshmërinë më të pakët të kredive në valutë, e për pasojë në fitueshmërinë më të ulët të bankave, duke sjellë vështirësi me bilancin e pagesave. Ish-Guvernatori Cani i jep Bankës së Shqipërisë atributet e institucionit që duhet të shtrojë rrugët e zgjidhjeve. Sipas Canit, Banka e Shqipërisë duhet të ndërhynte në treg me dy mënyra: ose anës psikologjike t’i përgjigjet po me faktor psikologjik – ndërhyrje verbale, ose me ndërhyrje reale, pra, duke hedhur valutë në treg derisa të shuhet faktori psikologjik
Monedha vendase, leku, ka disa kohë që po humb vlerën përballë valutave të huaja. Pse erdhi kjo situatë tani, cilët janë faktorët që zhvlerësuan lekun?
-Para se t’ju përgjigjem për këtë pyetje, do të më duhet t’ju sugjeroj që më e mira do të ishte që për çështjet e kursit të këmbimit duhet të adresoheni fillimisht tek Banka e Shqipërisë, si institucion i specializuar dhe që ka gjithë informacionin e duhur për të dhënë një përgjigje me kompetencë dhe në zbatim të detyrimeve jo vetëm të transparencës që duhet të zbatojë, por për më tepër, sepse ka detyrim ligjor të sqarojë publikun dhe sistemin financiar për ecurinë aktuale dhe pritshmërinë e tregut valutor dhe të kursit të lekut në veçanti. Është e gabuar mënyra e të vepruarit të Bankës së Shqipërisë, që ndërsa ka afro dy muaj që leku është nën goditje apo “i dyshuar” prej të gjithëve dhe Banka e Shqipërisë nuk ndërmerr asnjë hap për të sqaruar në mënyrë transparente, me vërtetësi dhe me kompetence për faktorët që kanë goditur besimin tek leku. Në mungesë të këtij prononcimi të specializuar na duhet të bëjmë vlerësime dhe të japim opinione për faktorët që kanë ndikuar në nënçmimin apo humbjen e vlerës së lekut. Të tillë faktorë mund të jenë disa: deficiti i llogarisë korente apo në një gjuhë më të thjeshtë tashmë ka marrë emrin mungesa e valutës, diferencat në inflacion dhe në normat e interesit, borxhi publik relativisht i lartë, ecuri negative në stabilitetin politik dhe ecurinë e disa treguesve të ekonomisë si dhe faktorë psikologjikë. Me sa duket, duhet të ketë një ndërthurje të faktorëve të mësipërm, por në mungese të të dhënave është e vështirë të saktësosh peshën e secilit prej tyre.
Arsyetoj që faktori psikologjik duhet të ketë një peshë thuajse zero. Në të kundërtën, Banka e Shqipërisë tashmë duhej të kishte ndërhyrë për ta shmangur këtë faktor, pasi çdo ditë që kalon e kthen atë nga faktor psikologjik në real. Po kështu, lidhur me borxhin publik, nuk është se ka ndonjë përkeqësim për t’u vlerësuar (me përjashtim të një deklarate të pakuptimtë dhe të gabuar për kushtet e tregut shqiptar të ministrit Bode që borxhin në valutë qeveria nuk do ta marrë nga bankat e vendit, por në tregun ndërkombëtar). Po kështu edhe ulja me 0.5% e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë vlerësoj se ka një ndikim të pandjeshëm në humbjen e terrenit nga leku.
Mbeten për t’u analizuar faktori i stabilitetit politik dhe ecuria e treguesve makroekonomikë dhe sidomos nëse ka mungesë valute. Stabiliteti politik më shumë duhet parë nga aspekti që në prag fushatash është i ngacmuar. Disa tregues makroekonomikë kanë filluar të dalin nga ecuria normale dhe kriza ka dhënë efektet e saj tashmë. Ekonomia jonë e ka marrë goditjen e parë tashmë, që siç edhe pritej, do të vinte tek pjesa valutore. Sipas llogaritjeve të përafërta që mund të bëj, rezulton që në tremujorin e tretë, por sidomos në atë të katërtin e vitit 2008 dhe këtë periudhë të fillimvitit 2009 në vend ka hyrë më pak valutë nga rënia e eksporteve, rënia e investimeve të huaja, nga dërgesa shumë më të pakta nga emigrantet, nxjerrje valute jashtë kufijve dhe të tjerë faktorë. Ajo që është e vështirë të llogaritet, është sa ka rënë kërkesa për valutë pasi në ulje të kërkesës për valutë ka ndikuar rënia e përgjithshme e çmimeve të mallrave të importuara dhe sidomos të ushqimeve dhe naftës, ulja e kërkesës për importe pasi ka rënë kreditimi nga bankat etj. Nga sa më sipër besoj kuptohet që kursi i këmbimit të lekut, si çmimi i çdo malli tjetër, është në varësi të kërkesë-ofertës: sa më shumë valutë të hyjë në vend dhe sa më pak të kërkohet për të dalë, aq më shumë forcohet leku dhe anasjelltas.
Ju si ekspert i ekonomisë, si e shihni këtë situatë, të përkohshme apo ajo do të zgjasë shumë? Dhe nëse zgjat, cilat janë efektet negative që do të rrjedhin prej saj? Cilët sektorë do të preken më së shumti prej dobësimit të lekut?
-Nga analiza e mësipërme duket sikur po ecet drejt një dobësimi të ngadalshëm, por të qëndrueshëm të lekut, për një periudhë të shtrirë për disa muaj. Por, është shumë shpejt për të dalë me konkluzion, pasi mungojnë shumë të dhëna dhe nuk jam i qartë në ecurinë e ardhme afatmesme, sidomos të daljeve në valutë. E thënë më ndryshe, ndërsa është pothuaj e sigurt që të hyrat në valutë në vend nuk do të kenë përmirësim (më shumë duket që do ketë përkeqësim, përveç pjesës së valutës që hyn nga veprimtaria kriminale), na duhet dhe pak kohë të shohim sjelljen e daljes së valutës, pasi patjetër do të ketë edhe ulje të kërkesës për valutë si nga rënia e sasisë së importeve, ashtu dhe nga ulja e ndjeshme e çmimeve të importit. Efektet negative nga rënia e vlerës së lekut janë në disa drejtime. Kështu, kush ka marrë kredi në valutë dhe të ardhurat i ka në lekë, do t’i duhet që veç kostos normale të një kredie, duhet të paguajë edhe kosto shtesë, pasi i duhen lekë shtesë për çdo euro apo dollar që do të blejë në treg. Sa më shumë dobësohet leku, aq më i vështirë bëhet kthimi i kredive në një masë gjithnjë e më të madhe kredimarrësish, duke u kthyer në rrezik të shtuar dhe për vetë sistemin bankar. Po kështu është dhe për importuesit e mallrave, të cilët nga praktika “alla shqiptarçe” do t’ia kalojnë të gjitha këtë kosto konsumatorit, pra duke rritur çmimet e mallrave në një kohë të dytë. Po kështu, goditje marrin dhe të gjithë kërkuesit e valutës që kanë detyrime sistematike pagesash jashtë vendit si për studime etj.
Çfarë pasojash do të ketë zhvlerësimi i lekut në ekonominë shqiptare duke bërë këtu një analizë afatgjatë?
-Nëse do të supozojmë që nënçmimi apo dobësimi i lekut do të vazhdojë për një kohë relativisht të gjatë (mbetet për t’u parë), kuptohet që do të ketë efekte. Efektet pozitive do të jenë në nxitjen e eksporteve. Po kështu të ardhurat në lekë do të jenë më të mëdha për familjet e emigranteve, deri në një kohë që kjo do të zbritet nga rritja e çmimeve. Ndërkohë, siç thamë më lart do të ketë rritje të çmimeve të mallrave të importit. Po kështu do të vështirësohet kthimi i kredive në valutë. Nëse kjo periudhe do të jetë vërtet e gjatë dhe e pastabilizuar do të kemi dhe efekte të tjera në një seri treguesish makroekonomike si inflacioni, deficiti buxhetor, luhatshmëri dhe për pasoje pasiguri më të mëdha në vetë kursin e këmbimit të lekut, paqëndrueshmëri më të madhe në bilancet dhe fitueshmërinë e shoqërive tregtare, që sidomos kanë një pjesë të veprimtarisë në valute, ndikime në investimet e huaja direkte, tendenca për dollarizim/euroizim më të fortë të ekonomisë (në një gjuhë me popullore tendenca për të përdorur gjithnjë e më pak lekun dhe kërkesë e sforcuar për valutë), në kthyeshmërinë me të pakët të kredive në valutë e për pasoje në fitueshmërinë më të ulët të bankave, vështirësi me bilancin e pagesave etj. Por të gjitha këto të fundit më shumë duken si sqarime teorike, sesa mundësi të një praktike të fuqishme, bazuar gjithnjë mbi të dhënat dhe ecurinë e deritanishme.
Konsumatorët çfarë mund të shohin si zgjidhje në këto momente, duke blerë euro apo dollarë?
-Kjo është një pyetje që e kam të pamundur për t’iu përgjigjur. Argumentimi është relativisht i gjatë dhe po e lë pa detaje në këtë intervistë.
Si mund të përballohet kjo situatë nga shteti dhe nga klientët e bankave, duke shtuar këtu se jemi edhe në një vit ku ekonomia botërore është në krizë, efektet e së cilës në një formë do të shfaqen edhe në Shqipëri? A do të ishte zgjidhje nëse Banka e Shqipërisë do të ndërhynte duke hedhur euro në treg për të zbutur këtë situatë?
-Zgjidhja përsëri është një çështje që përgjithësisht duhet të vijë pas një analize shumë më të saktë të faktorëve që kanë ndikuar në kursin e këmbimit si dhe sidomos mbi ata faktorë që mendohet të ndikojnë në të ardhmen në kursin e këmbimit. Më duhet të përsëris që këtë analizë dhe konkludim mund ta realizojë Banka e Shqipërisë, jo vetëm sepse ka detyrimin ligjor, por edhe pse ajo i ka të dhënat e plota dhe persona të kualifikuar për këtë ekspertizë. Por, duke u nisur nga përafrimet e mësipërme gjykoj që nëse mendohet që ka efekte të ndjeshme faktori psikologjik, Banka e Shqipërisë duhet (në fakt duhej prej kohësh tashmë) të ndërhynte në treg me dy mënyra: ose anës psikologjike t’i përgjigjet po me faktor psikologjik – ndërhyrje verbale, ose me ndërhyrje reale, pra duke hedhur valutë në treg, derisa të shuhet faktori psikologjik. Nëse vërtet ka mungesë valute në treg, Banka e Shqipërisë duhet të mendohet mirë para se të bëjë ndonjë ndërhyrje me valutë. Shprehem kështu pasi kur ka mungesë për një kohë relativisht të gjatë të valutës në vend, përgjithësisht për regjimin valutor që Shqipëria ka zgjedhur, duhet të lejohet që tregu të bëj vetërregullimin. Pra, kur mungon valuta në treg, termometri ekonomik tregon që diçka nuk është në rregull mbi të gjitha me ekonominë tonë. Kjo, pasi ekonomia është si tenxhere me presion, kur tejnxehet, vihet në punë valvola e presionit, që shfryn me zhurmë dhe nxjerr jashtë tenxheres presionin e tepërt. Ekonomia shqiptare, nga sa kuptohet, këto muajt e fundit nuk po shkon mirë në disa tregues (nuk po dua të shprehem që po shkon keq edhe pse është kështu) dhe ka filluar të shfryjë me valvolën e saj - kursin e këmbimit të lekut. Në këtë rastin e fundit është qeveria ajo që duhet të ndërhyjë dhe të bëjë korrigjimet përkatëse. Masat bazë mendoj që lidhen nga pranimi, njohja dhe pastaj reagimi ndaj efekteve të krizës, që tashmë ka prekur realisht dhe ekonominë tonë (qeveritarët tanë ende nuk e pranojnë këtë dhe do të vazhdojnë kështu derisa të preken të ardhurat e tyre personale (nuk do të ndodhë), pa pyetur për të ardhurat e shtetasve të tyre). Pra, duhet parë çdo mundësi që ndikon si në rritjen e të hyrave në valutë, por edhe me kufizimet e të dalave në valute. Për skenarët dhe veprimet anti-krizë qeveria dhe institucionet shqiptare kanë shumë për të bërë dhe nuk mund t’i realizojmë në këtë intervistë (besoj mund të realizojmë një të tillë në një kohë të dytë). Përmbledhtazi, mund të them që më së paku kërkon një koncept krejt tjetër të mënyrës së qeverisjes së ekonomisë së vendit tashmë të prekur realisht nga kriza botërore, gjë që prej muajsh tashmë e kuptoj që nuk është në vizionin e tyre. Supet e drejtuesve te institucioneve financiare shqiptare duket nuk mund të mbajnë peshën e krizës, pasi nuk kanë as vizionin, as ekspertizën, as edhe durimin për të drejtuar siç duhet.