Bibliotekat e vonuara të z. Rama
Vitin e kaluar shkollor MASH ka pasuruar bibliotekat e të gjithë shkollave të Tiranës. Këtë ka vazhduar ta bëj sërish dhe këtë vit shkollor në disa shkolla të tjera. Për çudi pas nismës Një qytetar një pemë, që sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës po arrin shumë suksese, z. Rama ka ndërmarrë një nismë tjetër, e pagëzuar me emrin: -Dhuro një libër. Këtë e nisi me ngritjen e bibliotekave në dy shkolla të kryeqytetit. Ndoshta me këtë, kryebashkiaku ka patur parasysh thënien e Gorgit: Libri është një dritare nëpërmjet të se cilës njerëzit shohin botën.
Por, nëse do të ishte kjo, z. Rama duhet ta kishte bërë kohë më parë. Them kështu pasi është i treti mandat që ai po mban si kryebashkiak. Po kujtojmë që në shumë nga shkollat e kryeqytetit nuk është instaluar ngrohja, në shumë shkolla palestrat janë jo funksionale, në shumë shkolla ambientet e jashtme janë të pasistemuara edhe pse ka vend për të krijuar terrene sportive. Në këto vite janë ndërtuar shumë pak shkolla të reja, të cilat janë shumë të nevojshme për të ulur numrin e nxënësve në shkollat e mesme. Ndërkaq, në disa shkolla mungojnë ambientet për dentistin, mjekun, punonjësin social, Qeverinë e nxënësve që rrjedhimisht flasin për nevojë për shtesa në këto shkolla. Për ti realizuar të gjitha këto, në tëre këto vite, nuk është menduar. Kësisoj, duke iu referuar kohës së zbatimit të kësaj nisme, me të drejtë mund të mendojmë që kjo (nisma ), nuk është gjë tjetër, veçse në funksion të fushatës për zgjedhjet e qershorit. Por është për të ardhur keq kur kjo fushatë bëhet me nxënës. Le të bënte z. Rama këto që përmendëm më sipër dhe së bashku me to, le të ngrinte këto biblioteka të ashtuquajtura bashkëkohore, sipas tij, e me të drejtë mund të bënte fushatë duke listuar arritjet për shkollat në një takim me komunitetet. Tek u prezantonte gjimnazistëve bibliotekën, z .Rama bëri një humor me vajzat. Vërtetë humori, është një cilësi për të qenë një politikanë i suksesshëm, dhe shpesh ai (humori) u nevojitet për të dalë nga një situatë e sikletshme , por aspak me adoleshentë. Tek shihja që humorin e kryetarit, nxënësit e merrnin sipas mënyrës së tyre të çiltër, do ti thosha z. Rama, që të vazhdonte të bënte fushatë, sepse është detyra e tij si kryetar partie, por jo me fëmijët dhe jo në rolin e kryetarit të Bashkisë pasi me fëmijët është debitor. Po dhe nëse sdo ishte i tillë, fushatën ta bënte me prindërit e tyre (nxënësve ). Si u ndje z .Rama përpara nxënësve, tek sa e ndiqnin bisedën e tij, pa menduar qëllimin e tij në atë takim, sepse ato as duan tia dinë për politikë?! Të gjitha këto i rreshtova për ti përcjell mesazhin në trajtë thirrjeje:
- I lini nxënësit në botën e tyre! I lini ta jetojnë adoleshencën në mënyrën e duhur! Mos i ngatërroni fëmijët me politikë!
Fitnete GRUDA
Drejtoreshë, shkolla Xhezmi DELLI, Tiranë
- I lini nxënësit në botën e tyre! I lini ta jetojnë adoleshencën në mënyrën e duhur! Mos i ngatërroni fëmijët me politikë!
Fitnete GRUDA
Drejtoreshë, shkolla Xhezmi DELLI, Tiranë