E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Subvencionimi i kartave të identitetit, demotivon qytetarët

Nënkryetari i grupit parlamentar të LSI, Pëllumb Xhufi subvencionimin e kartave të identitetit për një kategori të caktuar pas propozimit të opozitës për karta falas, e ka cilësuar të rrezikshëm dhe demotivon më tutje qytetarët për tu përfshirë në proces. Xhufi deklaroi se duhet gjetur një zgjidhje e fundit, e vetme, një zgjidhje e shpejtë, radikale, gjithëpërfshirëse. Në gjykimin tonë, një zgjidhje e tillë do të ishte më e përshtatshmja dhe gjëja kryesore që duhet bërë është ajo që, procesi i pajisjes me karta identiteti të mos lidhet me pagesën e tarifës. Ne gjykojmë se shteti dhe qeveria i ka të gjitha mundësitë që pagesa të bëhet në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur në një moment të dytë, u shpreh Xhufi. Ai ka vënë në dukje se deklaratat nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar nuk kanë ndihmuar për të ndihmuar dhe mbështetur procesin. Sipas tij, për problemin tepër akut dhe tepër vendimtar për suksesin e zgjedhjeve,  për problemin e pajisjes me karta identiteti, duhet dhe urohet që të shprehen dhe organizmat e specializuara për proceset zgjedhore, siç është OSBE-ODIHR, i cili, duke u nisur dhe nga përvojat në vendet e tjera, në demokraci në tranzicion, do të mund të ofronte dhe ai një zgjidhje, e cila mund të bëhej një zgjidhje që do të përqafohej nga e gjitha politika shqiptare. I shprehur për interesin e mediave, Xhufi tha se e vetmja zgjidhje është dhënia e kartave falas. Ai deklaroi se shteti i ka të gjitha mundësitë që tia nënshtrojnë pagesën qytetarëve, kategorive të ndryshme, me një bazë të drejtë, në bazë të të ardhurave, por kjo natyrisht do kohën e saj. Ajo që bëhet sot është ndarja e shoqërisë shqiptare në disa kategori pasi, mund të them se, ajo që karakterizon shoqërinë shqiptare për fat të keq është informaliteti dhe është shumë e vështirë sot, me nxitim, të bësh një ndarje të kategorive të ndryshme të qytetarëve shqiptarë, tha Xhufi.  Ai vuri në dukje se nuk ka pasur një qëndrim në një vendim të pjekur, të menduar dhe të ndarë dhe me opozitën në lidhje me kartat e identitetit, gjë që ka sjellë vërtet konfuzion dhe askush nuk e di sot nga qytetarët shqiptarë kush do të paguajë 3 mijë lekë, kush 2 mijë lekë apo kush nuk do të paguajë fare. Nënkryetari Xhufi tha se në këto kushte, duke pasur parasysh që nuk ka më kohë realisht për të bërë dhe për gjetur zgjidhje të ndërmjetme apo zgjidhje të përkohshme, ajo që do ta zgjidhte përfundimisht problemin, është pikërisht shpërndarja falas e kartave të identitetit. Më tej, nuk la përmendur edhe shqetësimin për shtetin, i cili nëse do të japë karta identiteti falas për një kategori të caktuar, si në çdo vend të qytetëruar, ka mënyrat e veta për të vjelur të ardhurat që duhet të vileshin nga shpërndarja e kartave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›