Bici: Dhuna, e dënueshme maksimalisht
Vëzhguesi i FSHF-së, Sazan Velçani, i cili të hënën u dhunua nga presidenti i skuadrës së Burrelit, Murat Koliqi, ka depozituar padinë ndaj drejtuesit të ekipit matjan. Ish-arbitri i FIFA-s bëri të ditur se ai e ka denoncuar ngjarjen në polici. Ngjarja e ndodhur në qytetin e Librazhdit gjatë ndeshjes Sopoti-Burreli ka sjellë edhe reagimin e Ministrisë së Sportit. Drejtori i Sporteve, Vasil Bici, është shprehur se organet përkatëse duhet të përdorin dorë të hekurt ndaj personave që shkaktojnë dhunë në fushat e futbollit. “Janë fenomene që duhet t’i godasim me dorë të hekurt të gjithë së bashku, duke filluar nga institucioni i Drejtorisë së Sportit në bashkëpunim me KOKSH-in, në bashkëpunim me federatat respektive, me Ministrinë e Rendit, me forcat e policisë. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë”, tha Bici. Pak ditë më parë, dhuna ishte shfaqur edhe në basketboll.
#