E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rrasini në burg halabakët e kësaj afere vrasëse!"

 

Nëse as fëmijët e vrarë në Gërdec nuk do munden ta shkundin drejtësinë shqiptare, atëherë ajo peshorja e drejtësisë është prishur përfundimisht. Pse e vejnë xhanëm, atë simbol peshe në altarin e drejtësisë?

Drejtësia shqiptare deri tani ka qenë një legen i shpuar me shumë vrima. Vlen vetëm për vaditje domatesh tip variacioni në vend të shiut! Në emër të viktimave të Gërdecit, lutemi si qytetarë: Zotërinj të drejtësisë, bëni punën tuaj, rrasini në burg, politikanët halabakë të kësaj afere vrasëse!

Situata e opinionit publik është tragjikomike. Në media shohim të flasin edhe ish-drejtues të regjimit komunist. Dhe ata vazhdojnë të kenë fuqi vesh-depërtuese. Pse? Sepse në këto 17 vjet klasa politike shqiptare nuk ka përmbysur asnjë nga parimet e ish-komunisteve, vetëm sa i ka forcuar ato me mediokritetin e vet. Ata që nuk kanë "përkrahjen e partisë", vazhdojnë të vuajnë, liria e fjalës është paçavure për të fshirë menderen, ekonomia e tregut është ku theret qameti, prona private respektohet aq shumë saqë zaptuesi injorant vjedh tokë në Tiranë dhe pronarit i thuhet hajt se ta kompensojë me pyll pas 100 vjetësh. Krimi, papunësia etj., etj., gëlojnë.

Edhe çfarë ndodh? Në vend që të kemi kritika pozitive nga të gjitha anët, kemi militantizëm të verbër. Më thuaj, kush e ka kritikuar një herë Berishën nga anët e PD-së? Kush ka qenë kandidat krahas tij, në Kongres, për kryetar partie? Pak më ndryshe me PS-në, por prapë lë shumë për të dëshiruar.

Pra, ne shkuam nga një diktaturë me një parti, tek një diktaturë me dy parti, nga diktatura komuniste tek diktatura e krimit, errësirës, injorancës dhe mediokritetit. Nuk kane njohur Shqiptarët akoma më mirë, prandaj dalin dhe flasin ende ish-drejtuesit e para 90-ës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›