E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne, kampionët e vërtetë të Matematikës

 

Ata janë imazhi i vërtetë i Shqipërisë, krenaria e heshtur, që pa shumë bujë, po na nderon në arenën botërore. Pas medaljeve të fituara në Ballkaniadë, një tjetër sfidë po troket për ekipin shqiptar të Matematikës: ajo e Botërorit të Spanjës. Redi, Beniada dhe Andi, rrëfejnë medaljet e fituara nga botërore dhe ëndrrën për të sjellë në Shqipëri medaljen e Arte

Sapo kanë korrur një fitore të rëndësishme në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës, të zhvilluar vetëm pak ditë më parë në Ohër të Maqedonisë, por dëshira e tyre për të parë flamurin shqiptar të ngrihet edhe më lart nuk është se mbaron me kaq. Tashmë mendjet e tyre janë gjetiu, në një tjetër kompeticion shumë herë më të fortë, që nga rëndësia, për matematikanët, pse jo mund të krahasohet edhe me kampionatin botëror të futbollit. Olimpiada Botërore e Matematikës, që këtë vit zhvillohet në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, do javë të mbërrijë, por për kampionët tanë të shifrave, koha është flori e për këtë arsye, përgatitjet duhen përshpejtuar. Redi Haderi, fitues i Medaljes së Argjendtë në ballkaniadën e fundit, qëndron ulur pranë dy shokëve të tij, fitues të medaljeve të Bronzta, Beniada Shabani dhe Andi Reçi. Të tre sapo kanë përfunduar testimin e fundit, që u hap rrugën për të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës. Për Redin dhe Beniadën, nëse arrijnë të kualifikohen për në botëror, kjo do të jetë hera e fundit që ata do të kenë mundësi të përfaqësojnë flamurin shqiptar në një kompeticion të tillë. Të dy janë maturantë e si të tillë, e dinë fare mirë se rregullat nuk ua lejojnë një pjesëmarrje tjetër në këto aktivitete. Redi është nxënës në vitin e fundit në kolegjin turk "Hasan Riza Pasha" në Shkodër, ndërsa Beniada, bukuroshja nga Durrësi, në kolegjin "Mehmet Akif" në kryeqytet. Më shumë faktin se një ditë nuk do të kenë më mundësinë për të marrë pjesë në olimpiadat e matematikës, duket se e ndjen Beniada, e cila nuk ngurron ta shprehë mërzitinë. Ashtu si Redi dhe Andi, ajo ka qenë për vite të tëra pjesëmarrëse në olimpiadat e matematikës të organizuara si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Për herë të parë, vajza ka marrë pjesë në një aktivitet të tillë në klasën e pestë, në olimpiadën e shkollës. Dalëngadalë, siç na rrëfen gjatë bisedës, Matematika filloi të zinte, olimpiadë pas olimpiade, një vend të rëndësishëm në mësime. Në klasën e 7-të, ajo merr pjesë për herë të parë në Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, ku zë edhe vendin e parë. Paçka se në vend të dytë, të njëjtin sukses Beniada e përsërit edhe në vitin pasardhës. Por ajo çka do t'i jepte kënaqësinë më të madhe maturantes të kolegjit turk "Mehmet Akif" gjatë olimpiadave, nuk do ishin thjesht pjesëmarrja në to, por edhe fitimi i medaljeve. Kështu një vit më parë, në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës të zhvilluar në Rodos të Greqisë, Beniada fitoi Medaljen e Bronxtë, ndërsa në Olimpiadën Botërore të Shkencave, në Indonezi, u nderua me Çmimin "Honor Matchel", për zgjidhjen e një ushtrimi të plotë matematike. Të njëjtën rrugë suksesi ka pasur edhe Redi. Ai e ka nisur rrugëtimin për në olimpiadat e matematikës që në klasë të tretë, ku edhe doli i pari. Që nga ajo kohë, ai nuk ka reshtur së fituari, në rang kombëtar, duke qenë gjithmonë një konkurrent shumë i fortë për kolegët. Por ajo çka do t'i jepte vlerësimin e merituar, do të ishte pjesëmarrja për herë të parë në Olimpiadën Ballkanike të Juniorve, të zhvilluar atë vit në qytetin Verie të Greqisë. Marrja pjesë në këtë eveniment nuk kishte se si të mos binte në sy të specialistëve të arsimit. Menjëherë sapo kthehet në Shqipëri, në atë kohë, nxënësi i vitit të parë të shkollës "28 Nëntori" në Shkodër, djaloshi merr një ofertë serioze nga kolegji turk "Hasan Riza Pasha", i cili i garantonte studime falas dhe mbështetje financiare për të gjithë pjesëmarrjet në olimpiada. Falë edhe kujdesit të veçantë të treguar nga profesor, Edmond Pisha, lider i ekipit shqiptar të Matematikës, Redi arrin fillimisht të fitojë Medaljen e Bronxtë, në Olimpiadën Ballkanike të Matematikës, për të arritur në Rodos të Greqisë, e më pas nderohet me po të njëjtën medalje në Olimpiadën Botërore të Matematikës, të zhvilluar gjatë vitit të kaluar në qytetin e Hanoit, në Vietnam. Këtë sukses, Redi e përsërit edhe në olimpiadën e fundit ballkanike, që siç thamë u zhvillua në qytetin e Ohrit, në Maqedoninë fqinje. Madje, këtë herë djaloshi nga Shkodra arrin të bëjë të tijin Medaljen e Argjendtë, duke treguar nivel të lartë përgatitjeje.

Duhet theksuar se Olimpiada Ballkanike e Matematikës, është një nga më të fortat në botë. Në këtë olimpiadë marrin pjesë shtete si Bullgaria, Rumania, apo Turqia, të cilat në renditjen botërore klasifikohen si ekipet më të forta, përsa i përket përgatitjes në lëndët ekzakte. Madje në këtë olimpiadë marrin pjesë edhe ekipe jashtë Gadishullit Ballkanik, si Britania e Madhe apo Italia, të cilat masin forcën përpara se të marrin pjesë në Botëror. Andi, "Petroninsi" i ekipit e di mirë se çdo të thotë të përballesh me ekipe të tilla. Ai ka marrë pjesë shumë herë në olimpiada. "Sa vjen, dhe olimpiada ballkanike vështirësohet. Çdo vit, ushtrimet vijnë dhe bëhen më të ndërlikuara. Mbaj mend që para disa vitesh, ushtrimi i parë ishte algjebër, e më pas gjeometri, mosbarazim dhe kombinatorikë. Përgjithësisht, me ndonjë ndryshim të vogël, kjo ishte skema. Tani po fillon e ndryshon gjithçka. Kjo sepse shumë shtete e përdorin ballkaniken, mënyrë seleksionimi për në botëror. Kurse ne nuk e përdorim si të tillë, pasi bëjmë edhe një seleksionim tjetër. Pra, dua të them se shumë shtete e shohin olimpiadën ballkanike si mjet force". Por ajo që e shqetëson më shumë Andin dhe kolegët e tij, është mungesa e trajnimit të veçantë përpara olimpiadave. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në olimpiadë, ata nuk kanë literaturën e nevojshme për të pasur një përgatitje sa më të mirë në këtë organizim. Me gjithë ndihmën e madhe që u jep profesori i Matematikës, Edmond Pisha, të cilin nuk reshtin së falënderuari për punën e palodhur që bën me ta, Redi, Beniada dhe Andi vënë theksin gjithmonë e më shumë te ndihma që shteti duhet të japë në përgatitjen e ekipeve shqiptare pjesëmarrëse në olimpiada. Ëndrra e tyre, është që të përfaqësojnë sa më denjësisht Shqipërinë në Olimpiadën Botërore të Matematikës në Spanjës, dhe pse jo, të sjellin në atdhe medaljen e artë. Por që të arrihet ky sukses, që nuk është i pamundur, kërkohet një përkushtim më i madh nga ana e strukturave shtetërore dhe jo gjithçka t'i lihet në dorë rastësisë. Vetëm kështu Shqipëria, do të mund të rivalizojë denjësisht me shtetet e tjera, që për hir të së vërtetës, nuk është se kanë ndonjë koeficient intelekti më të lartë se ekipi i djemve dhe vajzave tona, që përmes vështirësish të panumërta, po arrijnë të ngrijnë lart imazhin e vendit në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›