Arrestohet i akuzuari për plagosje me thikë
Efektivat blu të policisë kufitare të Kakavijes, kanë ndaluar mesditën e së dielës një 26 vjeçar nga Tirana i cili kërkohej nga policia prej muajit dhjetor 2007, për plagosje me thikë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit "shërbimeve të policisë kufitare të stacionit të policisë Kakavije gjatë përpunimit në sistemin TIMS të klandestinëve të kthyer nga pala greke u rezultoi se Martin Lena, lindur në Mat dhe banues në Kamëz, Tiranë, rezultonte person i shpallur në kërkim". Në fund të muajit dhjetor 2007, në Tiranë, gjatë një zënke për motive të dobëta 26 vjeçari Lena kishte goditur me thikë 25 vjeçarin Florian Sefa duke i shkaktuar atij plagë në trup. "Për t'iu fshehur ndëshkimit të drejtësisë në lidhje me këtë ngjarje M.Lena ishte larguar në drejtim të shtetit fqinjë, Greqi", thotë zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Ndërkohë në shkurt 2008 në lidhje me këtë ngjarje Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë "arrest në burg" për 26 vjeçarin Lena. Pas gati pesë muajsh strehim ilegal në Greqi 26 vjeçari është ndaluar nga policia greke pasi nuk dispononte lejeqëndrimin dhe është kthyer si klandestin në doganën shqiptare të Kakavijes. Pasi ka verifikuar identitetin e tij policia kufitare e Kakavijes ka bërë ndalimin e M.Lenës. Gjithashtu blutë e Kakavijës kanë vënë në dijeni kolegët e tyre të Tiranës për vazhdimin e mëtejshmë të veprimeve në lidhje me këtë rast.