E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Biden letër Begajt: SHBA e përkushtuar për të ndihmuar Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka vlerësuar përmes një mesazhi të dorëzuar posaçërisht autoriteteve shqiptare, aleancën dhe bashkëpunimin strategjik me Shqipërinë. Presidenti Bajram Begaj priti në takim këtë të hënë Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, ku kjo e fundit i dorëzoi letrën, presidentit shqiptar me një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje nga Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën. Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale”, shkruhet në letër.

Presidenti Joe Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt. Në letër theksohet se SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike.

“SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”.

Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›