Biden nga Polonia: Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë! NATO më e bashkuar se kurrë

Nga Polonia, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka theksuar edhe njëherë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa deklarata e tij vjen vetëm një ditë pas udhëtimit të papritur në Kiev (20 shkurt).
Biden u shpreh se Ukraina “nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë, por shtoi se megjithatë, ata nuk i pret një rrugë e lehtë.
“Brutaliteti i jashtëzakonshëm i forcave ruse dhe mercenarëve. Ata kanë kryer shthurje, krime kundër njerëzimit pa turp dhe keqardhje. Ata kanë shënjestruar civilët me vdekje dhe shkatërrim. Përdorën përdhunimin si armë lufte. Askush, askush nuk mund t’i mbyllë sytë ndaj mizorive që po kryen Rusia. Është e neveritshme. Por në mënyrë të jashtëzakonshme, gjithashtu, ka qenë përgjigja e popullit ukrainas dhe e botës. Një vit pasi bombat filluan të binin, tanket ruse u futën në Ukrainë. Ukraina është ende e pavarur dhe e lirë. Nga Kherson në Kiev, toka është rikuperuar“, tha Biden.
Ai theksoi se SHBA do të vijojë të mbështesë NATO-n dhe se për këtë nuk duhet të ketë “asnjë dyhsim”.
“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Mbështetja jonë për Ukrainën nuk do të lëkundet, NATO nuk do të ndalet dhe ne nuk do të lodhemi. Epshi i egër i Presidentit Putin për tokë dhe pushtet do të dështojë dhe dashuria e popullit ukrainas për vendin e tyre do të mbizotërojë“, tha Biden në Varshavë.
Po ashtu, Presidenti i SHBA hodhi poshtë pretendimet e presidentit rus Vladimir Putin të martën, duke thënë se Perëndimi nuk po kërkon të kontrollojë Rusinë.
“Sonte, unë i flas edhe një herë popullit të Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe kombet e Evropës nuk kërkojnë të kontrollojnë ose shkatërrojnë Rusinë. Perëndimi nuk po planifikonte të sulmonte Rusinë siç tha Putin. Kjo luftë nuk është kurrë një domosdoshmëri. Është një tragjedi. Presidenti Putin zgjodhi këtë luftë” tha Biden.
Më herët këtë të martë, Putin mbajti një fjalim duke pretenduar se Perëndimi kishte “ambicie” për të pushtuar “tokat historikisht ruse”.
“Elita e Perëndimit nuk i fsheh ambiciet e saj, që janë të mposhtin strategjikisht Rusinë. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë të përfundosh njëherë e përgjithmonë. Ata e bëjnë këtë duke i shndërruar konfliktet lokale në konflikte shumë më të gjera dhe më të mëdha“, tha Putin
Në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin tha se ai po pezullon pjesëmarrjen në “Neë START”, traktati i vetëm i madh i mbetur i kontrollit të armëve bërthamore me SHBA-në, teksa kërkoi të fajësonte Perëndimin për konfliktin në Ukrainë gjatë fjalimit të tij të së martës për gjendjen e kombit.
Ndërkohë, në terren, sipas analistëve, forcat ruse kanë bërë përparime në rritje rreth qytetit Bakhmut ndërsa lufta po vazhdon në Ukrainën lindore.
/rtsh.al/