E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Prigozhin, pronar i Wagner-it, shpërthen kundër shefave të lartë ushtarakë rusë

Pronari i kompanisë ushtarake private ruse Wagner, akuzoi ministrin rus të mbrojtjes dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të martën se lanë pa muncion luftëtarët e tij në Ukrainë, gjë që, sipas tij, përbën një përpjekje për të “shkatërruar” forcën e tij luftarake.

Yevgeny Prigozhin, një milioner me lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, tha në një deklaratë emocionale audio të publikuar përmes zëdhënësve të tij se “rezistenca e drejtpërdrejtë” nga ushtria ruse “nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje për të shkatërruar Wagner”.

Deklaratat emocionale nga Prigozhin dhe luftëtarët e tij, nxorrën në pah tensionet e gjata midis ushtrisë ruse dhe Wagner, e cila ka një status të paqartë ligjor, pasi ligji rus ndalon kompanitë private ushtarake.

Prigozhin tha me zë të lartë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov, po japin urdhra “majtas dhe djathtas” për të mos e furnizuar Wagner me municione, si dhe për të mos e mbështetur atë me transport ajror. 

Kompania është përfshirë në mënyrë aktive në luftime të rënda në lindje të Ukrainës.

“Kjo mund të krahasohet me tradhtinë e lartë, pikërisht në momentin kur Wagner po lufton për Bakhmutin, duke humbur qindra luftëtarë çdo ditë”,- tha Prigozhin.

Pretendimet e tij nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur. Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm edhe nga ushtria ruse. Milioneri dhe luftëtarët e tij kanë pretenduar për javë të tëra se ushtria nuk u sigurohen atyre municion të mjaftueshme. 

Përpjekja e Wagner-it për të marrë Bakhmutin, një qytet në rajonin lindor të Donetskut, ka ngecur dhe është kthyer në një betejë të vështirë. Prigozhin ka kritikuar në mënyrë të përsëritur drejtuesit më të lartë ushtarakë të Rusisë muajt e fundit, duke i akuzuar ata për paaftësi. 

Ai e ka ngritur profilin e tij publik, duke lëshuar deklarata të përditshme duke u mburrur me fitoret e supozuara të Wagner-it, si dhe të tallet me kundërshtarët e tij.

Kritikat e tij, megjithatë, duket se kanë rënë në “vesh të shurdhër”. Muajin e kaluar, Putin ripohoi besimin e tij te Gerasimov, duke e vënë atë në krye të drejtpërdrejtë të forcave ruse në Ukrainë, një lëvizje kjo që disa vëzhgues e interpretuan si një përpjekje për të ulur Prigozhin.

Të martën, në fjalimin e tij të shumëpritur për gjendjen e kombit, Putin falenderoi shumë ushtrinë ruse, por nuk e përmendi Wagnerin. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›