Biderman mposht Felpsin, vendos rekord botëror
Paul Biederman në “qiellin e shtatë” pas triumfit spektakolar në Kampionatin Botëror të notit që po zhvillohet në Romë. “Supermeni” i ri gjerman mposhti para 15 mijë shikuesve vetë Majkëll Felpsin në “duelin e gladiatorëve”, duke fituar garën e 200 metrave stil i lirë duke vendosur njëkohësisht një rekord të ri botëror, i dyti për notarin nga Gjermania. “Kjo është një fitore e madhe. Një ëndërr e shndërruar në realitet”, - tha Biderman menjëherë pas garës së gjigantëve. Mediat gjermane e konsideruan atë si yllin e ri botëror të notit. “Felps pas Lojërave Olimpike të Pekinit nuk është me siguri në top-formë. Nuk është më Majkëlli Felpsi i vjetër” – tha Biderman, që vendosi kohën e re 1 minutë e 42 sekonda, ndërkohë që koha e mëparshme e mbajtur nga Felps ishte 1.42:96. Amerikani, fitues i tetë medaljeve të arta në “Pekin 2008”, tha: “Duhet ta pranoj se Paul ishte më i miri. Ai po kalon një vit shumë të fortë. Unë nuk isha në gjendje. I uroj atij gjithë të mirat”.
Masa nuk mban mend asgjë:
“Përse ndodhem në spital?”
Felipe Masa nuk mban mend asgjë nga aksidenti i tij i rëndë në provat kualifikuese të Çmimit të Madh të Hungarisë, të shtunën e kaluar. “Çfarë ka ndodhur, përse jam unë këtu?”, - i ka pyetur Masa mjekët në spitalin e Budapestit. Të njëjtën pyetje piloti 28-vjeçar i Ferrarit ia ka bërë edhe dhe vëllait të tij, Eduardo. “Çfarë bëj unë këtu në spital”. Masa u godit në kokë nga një copë metali, kur u përplas me Ferrarin e tij me 190 metra në orë me murin mbrojtës të cirkuitit. Masa ra në koma dhe doli prej saj të hënën në mëngjes. “Falënderoj zotin që është gjallë”, - tha gruaja e Masës, Rafaela. “Shpresoj që të garojë sa më shpejt”.
Shumaker
Ish-kampioni i botës në Formula 1, austriaku Niki Lauda, pohoi se ai shihte Mikael Shumakerin si zëvendësuesin ideal të pilotit të pafat të Ferrarit, Felipe Masa, pas aksidentit të këtij të fundit në kualifikueset e Çmimit të Madh të Hungarisë. “Shumë thjesht, nga të gjithë pilotët që mund të jenë të mundshëm si zëvendësues, Mikael është qartësisht më i miri”, - tha Lauda për faqen e internetit të gazetës “Bild”. Shumakeri garoi për herë të fundit në Formula 1, më 22 tetor 2006 dhe tani 40-vjeçari gjerman punon si këshilltar pranë skuderisë Ferrari. Gjithsesi, dje menaxheri i Shumakerit, Vili Veber, e hodhi poshtë mundësinë që 7-herë kampioni i botës të pilotonte sërish njëvendshen.
29 Korrik 2009