E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie çmimi i naftës në bursë, tregtarët shqiptarë abuzojnë

DURRES-Drejtues të doganës së Durrësit konfirmojnë se të paktën prej një muaji, vlera e naftës në bursë, pra në tregjet ndërkombëtare ka pësuar rënie të vazhdueshme. Ndërkohë që çmimet në distributorët e palëvizshëm të vendit nuk kanë lëvizur. Ditën e djeshme në sistemin e kompjuterave të doganës së Durrësit( nëpërmjet të cilës hyn 75 për qind e të gjithë naftës në shkallë vendi)ishte fiksuar shifra 82 dollarë për fuçi. Një muaj më parë kjo shifër luhatej nga 92 dollarë deri 98 dollarë për fuçi. Por me gjithë këtë ulje që ka pësuar nafta dhe derivatet e saj ajo nuk është reflektuar aspak në uljen e çmimeve nëpër distributorë. Madje, biznesmenët e naftës e kanë shfrytëzuar këtë periudhë për të shtuar fitimet e tyre për shkak të kuotave të larta të shitjeve, meqenëse kjo lidhet me sezonin turistik dhe me ardhjen e mijërave emigrantëve së bashku me automjetet e tyre. Ndërkohë, institucionet ligjorë të mbrojtjes së konsumatorëve nuk janë ndjerë fare për këtë gjendje në tregun e naftës.
SITUATA
Ka kohë që në doganën më të madhe të vendit, në atë të Durrësit, vlera e detyrimeve doganore për naftën është ulur për shkak se është ulur edhe vlera e saj në bursën ndërkombëtare. Vetëm gjatë muajit të fundit vlera e një fuçie naftë është luhatur nga 75 dollarë për fuçi deri në 82 $ për fuçi duke shënuar një ulje rreth 17 dollarë për fuçi, ndërkohë që çmimi ishte 99 dollarë. Gjatë këtij muaji kanë hyrë në vendin tonë disa mijëra tonelata naftë të blerë me çmimet që ka bërë të njohura dogana e Durrësit. Por megjithëse kompanitë e tregtimit të naftës të cilat operojnë në tregun tonë kanë paguar vlera më të ulëta doganore se sa muajt e shkuar kur nafta blihej më shtrenjtë,kjo nuk është reflektuar aspak në vlerën e naftës nëpër distributorë.
Tregtarët e naftës, këtë situatë në treg e sqarojnë me faktin se kanë pasur në gjendje sasi të mëdha nafte të blerë gjatë muajve kur lëngu i zi ishte shtrenjtuar. Kështu që do të vazhdojnë të mbajnë këtë politikë çmimesh derisa të përfundojnë këto rezerva.
DOGANIERET
Por në doganë kanë tjetër mendim lidhur me çmimet. Doganierët e Durrësit të cilët kanë kohë në këto detyra e që kanë përjetuar uljet e ngritjet drastike të vlerës së naftës në bursë, thonë se "argumenti i grosistëve të naftës është një `këngë e vjetër` e dëgjuar shpesh herë. Ata duhet ta tregtojnë naftën me një çmim mesatar i cili del nga vlera e naftës që kanë në gjendje me çmimin e naftës më të ulët". Por këto ulje e ngritje të naftës shfrytëzohen prej tyre për të rritur fitimet. Ndërkohë po prej doganierëve kjo periudhë shikohet se e artë nga ana e tregtarëve të naftës për shkak se ka shumë konsumim karburanti pasi numri i automjeteve në qarkullim është dyfishuar. Janë disa dhjetëra mijëra automjete më shumë nëpër rrugë e kjo lidhet me ardhjen e emigrantëve për të kaluar pushimet. Ata thonë së "nafta këtu është më shtrenjtë se në Itali dhe në Greqi". Nga ana e tyre institucionet shtetërore të ngritura për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet me çmimet nuk janë ndjerë fare lidhur me këtë problem.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›