Bie euforia. Euro, sërish në rënie edhe pas masave të fundit financiare
Qeveria gjermane e ka mbështetur paketën e shpëtimit prej 1 trilion dollarësh për të ndihmuar monedhën e përbashkët europiane, ndërsa dje, zyrtarë të lartë të BE-së, kërkuan masa shumë më të rrepta për të mbikëqyrur dhe monitoruar buxhetet dhe ekonomitë e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, në një përpjekje për të zgjidhur krizën në të cilën është zhytur i gjithë rajoni.
Aprovimi i shifrës së mësipërme të paketës shpëtimtare të euros, që është edhe hapi i parë në tërësinë e masave emergjente për të zgjidhur krizën, fillimisht i dha impuls pozitiv monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare. Dita e hënë shënoi rritje të vlerës së saj në krahasim me monedhat e tjera, por dje euforia ka rënë ndjeshëm dhe kanë dalë në pah shqetësimet se një masë e tillë nuk është zgjidhja përfundimtare e problemit në vende të tilla shumë problematike si Greqia apo Portugalia.
Gjermania, shteti më i pasur i kontinentit që e përkrahu masën financiare ndaj Greqisë vetëm së fundi, ka kërkuar që Greqia dhe vende të tjera që përdorin monedhën euro të marrin menjëherë masa të reja të reduktimit të shpenzimeve publike. Tragjedia e krizës greke është shndërruar në një barrë të vërtetë financiare për Gjermaninë, sepse Berlini do të japë edhe shifrën më të madhe të parave në krahasim me vendet e tjera kontribuuese. Në tërësinë prej 123 miliardë eurosh, Gjermania do të paguajë 22.3 miliardë. Ideja e heqjes së kontributit të vendeve që nuk janë mirë ekonomikisht nuk u prit mirë nga taksapaguesit gjermanë, të cilët ndërkohë e kanë shfaqur hapur dhe tashmë edhe me votë pakënaqësinë ndaj vendimit të kancelares për të përkrahur paketën e ndihmës financiare ndaj Greqisë.
Ndërkaq komisioni ekzekutiv i BE-së do të ndërmarrë sot hapin e parë për krijimin e një kontrolli më të rreptë të buxheteve të vendeve që përdorin euron. Presidenti i Komisionit Europian, Barroso, bëri thirrje për thellim të këtyre masave dhe monitorim të performancës së ekonomive të BE-së. “Ne nuk mund të kemi një bashkim monetar pa një bashkim ekonomik. Zgjidhja e këtij problemi duhet të jetë një mënyrë veprimi shumë më e koordinuar në Europë, më koherente”, ka deklaruar Barroso. Ai pritet që të sugjerojë një plan të përhershëm të menaxhimit të krizave që do të zëvendësojë eventualisht paketën prej 750 miliardë eurosh për çdo shtet që brenda një periudhe trevjeçare nuk ia ka dalë që të paguajë borxhin e vet. Greqia ka kërkuar dje zyrtarisht transhin e parë të ndihmës prej 14.5 miliardë dollarësh, për të ulur “malin” e deficitit buxhetor.
#