Zbulimi i varrit masiv trondit Serbinë
A do t’i kthjellojë sado pak njerëzit në Serbi zbulimi këto ditë i një varri masiv tjetër me mbetjet e afro 250 shqiptarëve pranë qytetit Rashka në jug të Serbisë, pak km nga kufiri me Kosovën, që ta shohin në një dritë të re historinë e ngjarjeve që çuan drejt pavarësisë së Kosovës? Për më tepër që ky është varri i gjashtë masiv me mbetje shqiptarësh të vrarë nga forcat ushtarake e paraushtarake serbe gjatë viteve 1998-1999, që zbulohet që nga 5 tetori i vitit 2000, kur u përmbys regjimi diktatorial i Sllobodan Millosheviçit. Aktorë të shoqërisë civile serbe, të cituara nga mediat serbe, thonë se varri masiv i ri i zbuluar konfirmon thëniet e tyre se varre masive të tjera ka anekënd Serbisë. “Zbulimi i varrit masiv pranë Rashkës hedh një dritë të re mbi atë që ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999”, vuri në dukje në një prononcim të saj të djeshëm në “Dojçe Vele” drejtorja e Qendrës për Studimet Euroatlantike të Serbisë, Jelena Miliç, duke theksuar se tani edhe opinioni i gjerë publik serb mund të njihet më mirë me atë që ka ndodhur atje. “Për ata që prej kohësh i ndjekin zhvillimet përkatëse, ky zbulim është vetëm një nga provat se bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999 ka qenë para një dileme të madhe sesi të reagonte ndaj shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut të popullsisë civile në Kosovë”, theksoi znj Miliç. “Opinioni publik serb e ka të domosdoshme ta kuptojë se ne nuk do të bombardoheshim dhe Kosova nuk do të shkëputej pa arsye të fortë, nëse atje nuk do të shkeleshin seriozisht të drejtat themelore të njeriut dhe ushtria e policia serbe nuk do të përdornin atje një dhunë tej masës”, tha znj. Miliç, ndërsa theksoi se “numri i civilëve të vrarë dhe mënyra sesi ata janë vrarë dhe kanë përfunduar në këto varre masive, rezervuare dhe gropa çimentoje, janë krejtësisht të papranueshme dhe bashkësia ndërkombëtare thjesht duhet të reagonte patjetër”. Në këtë moment është e vështirë të thuhet nëse është fjala për rastësi, por, sidoqoftë, koha e zbulimit të varrit të ri masiv mund të lidhet me procesin që Serbia ka iniciuar para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës, vlerëson drejtorja e qendrës së lartpërmendur serbe. Sipas saj, zbulimi i varrit masiv pranë Rashkës bashkë me pasojat përkatëse është një veprim i mirë, sepse “opinioni ynë publik mund të përgatitet gradualisht se ndoshta, mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nuk do të jetë aq pozitiv sa do të krijonte përshtypjen dikush mbi bazën e të gjitha atyre deklaratave energjetike të ministrit tonë të Jashtëm”. Drejtorja e Qendrës serbe për Studimet Euroatlantike shpreh shpresën se zbulimi i këtij varri masiv mund të shërbejë si nxitje për bisedime të mëtejshme mes Beogradit dhe Prishtinës për zbulimin e fatit të të gjithë të zhdukurve në Kosovë. “Mendoj se një dialog dhe bashkëpunim i tillë, pikërisht për këtë temë kaq të komplikuar dhe të vështirë, do të përbënte provën më të mirë para përfaqësuesve të lartë të BE-së për maturimin e shoqërive dhe, sigurisht, të politikanëve të tyre edhe në Serbi, edhe në Kosovë”, deklaroi ajo.
#