Dyfishohet numri i të helmuarve, mister shkaku

Rëndohet situata e epidemisë enigmatike në rrethin e Mallakastrës. Numri i të prekurve nga helmimi është dyfishuar gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që shkaqet janë ende të papërcaktuara. Pranë spitalit të Ballshit është vendosur një ekip i Inspektoratit të Higjienës së Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Parësor, që po punon për zbardhjen e shkaqeve të helmimit. Anila Moçi, mjeke epidemiologe, që bën pjesë në këtë ekip, thotë se “nuk kemi asnjë përgjigje analizash që të implikojë ujin, por janë ato më të hollësishme që do të vijnë nga Tirana, të cilat do të zbardhin gjithçka”. Ajo shton se ka nisur marrja e analizës së koprokulturës, që mendohet se do të zbardhë nëse është ushqimi apo uji janë shkak i intoksikimit masiv.
Nga ana tjetër, kreu i Qendrës Shëndetësore në Ballsh, Qemal Shehu, akuzon autoritetet për situatën e krijuar. Sipas tij, mungesa e koordinimit mes institucioneve ka rënduar situatën. “Militantët dhe mjekët jo të aftë e joprofesionistë kanë shkaktuar këtë situatë”, thotë Shehu.
Rrezja e epidemisëAjo që ka vënë në alarm autoritetet e shëndetësisë së Ballshit dhe të Fierit lidhet me zgjerimin e hartës së zonës së prekur nga epidemia. Pothuajse i gjithë territori i rrethit të Mallakastrës është nën pushtetin e epidemisë, që ende nuk dihet nga se shkaktohet. Gjatë paradites së të martës në spitale janë paraqitur pacientë të shumtë nga fshatrat Kalenjë, Panahor, Lapulec, Kash, Lofkënd, Lavdan, Fratar, Aranitasi etj. Ndërkaq, epidemia nuk ka kursyer asnjë grupmoshë. Që nga fëmijët e porsalindur deri te të moshuarit janë prekur prej epidemisë së rrezikshme që po kërcënon seriozisht Mallakastrën.
Gjatë gjithë natës së të hënës dhe ditës së djeshme, me dhjetëra persona i janë drejtuar spitalit të Ballshit dhe atij të Fierit për mjekim. Madje, gjatë pasdites së të martës, si pasojë e mbushjes tej kapaciteteve të këtyre dy qendrave spitalore, shumë pacientë janë dërguar drejt spitalit të Lushnjës.
SpitaletNumri i të prekurve nga epidemia misterioze, që nga dita e diel deri pasditen e së martës, ka shkuar në më shumë se 400 persona. Vetëm në spitalin e Ballshit, deri në orën 14.30 të së martës, kanë marrë mjekim mbi 201 persona. Kjo shifër jepet zyrtarisht nga drejtoresha e spitalit, Luljeta Bregasi.
Kjo e fundit, edhe pse ka qenë nën gatishmëri për më tepër se 46 orë, shprehet se përveç numrit të madh të të prekurve nga epidemia, një problem më shumë është mungesa e shtretërve. çdo orë vijnë me dhjetëra persona që paraqiten me simptoma të tilla si: të vjella, diarre, temperaturë etj. Mbi 300 serume janë konsumuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa spitali nuk ka më asnjë vend të lirë. Edhe dhomat e mjekëve janë përshtatur për të pritur pacientët e shumtë. Gjatë së martës situata në spitalin e Ballshit ka qenë kaotike. është dashur ndërhyrja e policisë që të vihej rregull mes pacientëve, të cilët kërkonin me ngulm shtrim në spital. Po ashtu, pacientët kanë kërkuar të trajtohen në Ballsh dhe jo në Fier apo Lushnjë. Edhe në spitalin rajonal të Fierit situata ka qenë kaotike. Ashtu si edhe mbrëmjen e së hënës, përgjatë gjithë së martës pacientë të shumtë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pranë këtij spitali. Numri i personave të shtruar dhe atyre që kanë marrë ndihmën urgjente dje ishte afro 200, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të të helmuarve në më shumë se 400 persona.