E Martë, 3 Nëntor 2026

Bie inflacioni në eurozonë, në muajin shtator ishte në nivelin 1.8 për qind

Për të parën herë në tre vitet e fundit, norma vjetore e inflacionit në 20 vendet e eurozonës ra në nivelin 1.8 për qind muajin e shkuar, nga 2.2 për qind që ishte në muajin gusht, një rënie kjo më e ulët se c’ishte parashikuar nga banka qendrore evropiane çka  pritet të pasohet nga një reduktim në 3.25 për qind të normës bazë të interesit gjatë takimit të 17 tetorit të bordit drejtues të kësaj banke. 

Shifrat e publikuara nga agjencia evropiane e statistikave Eurostat tregojnë nivelin më të ulët të normës vjetore të inflacionit që nga prilli I vitit 2021, kur ishte 1.9 për qind, çka reflekton rënien e çmimeve të produkteve energjetike, të cilat në muajin shtator të këtij viti u ulën me gjashtë për qind.

Inflacioni më i lartë në eurozonë ishte ai i tetorit të vitit 2022 kur kapi nivelin e 10.6 për qind, pas rritjes së çmimeve të produkteve të energjisë dhe ushqimeve si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës.

Nivelin më të ulët të indeksit të çmimeve të konsumatorit në eurozonë gjatë muajit shtator e shënoi Irlanda me 0.2 për qind, ndërkohë që nivele të ulëta kanë pasur edhe dy ekonomitë më të mëdha të bashkimit evropian gjermania dhe Franca me 1.8 dhe 1.5 për qind respektivisht.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›