E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie kërkesa për Kumbaron, avokati kërkoi ndryshim mase

TIRANE- Ka rifilluar sot seanca gjyqësore ngarkim të tre të akuzuarve si përgjegjës në rrëmbimin torturimin me pasojë zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Seanca ka vazhduar me një kërkesë të avokatit mbrojtës të Ilir Kumbaros i cili i ka kërkuar trupit gjykues revokimin e masës së sigurisë arrest me burg, ndaj klientit të tij.

Në argumentat që ka dhënë para trupit gjykues avokati Bregu është shprehur se kjo gjykatë ka mbajtur 2 standarde lidhur me këtë cështje duke theksuar se ndaj dy të akuzuarve të tjerë Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit ka marrë masën e sigurisë të gjykimit në gjendje të lirë, ndërsa ndaj Kumbaros ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Një tjetër pretendim i avokatit ka të bëjë me rrezikshmërinë shoqërore të Kumbaros duke u shprehur se klienti i tij nuk rrezikon të kryejë ndonjë vepër tjetër penale apo të dëmtojë provat e procesit.
Ndërkohë kërkesa e avokatit Vojo Bregu është kundërshtuar me forcë nga prokurori i cështjes i cili ka deklaruar se masa ndaj Kumbaros nuk është ekzekutuar fare dhe ai nuk ka bërë asnjë ditë burg.

Gjykata vendosi ta lërë në fuqi masën arrest me burg ndaj Kumbaros me argumentin se i akuzuari ka kryer një vepër penale të rëndë dhe i është fshehur drejtësisë.
Menjëherë pas këtij vendimi avokati i Kumbaros ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues me pretendimin se pesëshja gjykuese paragjykon faktet dhe provat në ngarkim të klientit të tij. Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër i Gjykatës së Krimeve të Rënda.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›