Calciopoli, Gjykata do pranojë përgjimet e reja
NAPOLI- Në Gjykatën e Napolit është zhvilluar një nga seancat më të rëndësishme të procesit të Calciopolit, në të cilën avokatët e Luçiano Moxhit kanë kërkuar që të merren parasysh edhe përgjimet e reja të nxjerra prej tyre dhe që implikojnë edhe klube të tjera të Serisë A, sidomos Interin. Moxhi, i akuzuari kryesor i procesit, është pritur në hyrje të Gjykatës ka disa mbështetës të Juventusit, që i kanë dhënë kurajo, ndërkohë që vetë ai nuk ka lëshuar asnjë deklaratë, duke thënë me ironi se nuk dëshiron ta nxehë fytin përpara kohe. Seanca që zgjati rreth 4 orë është shoqëruar me debate të shumta mes kolonelit Atilio Aurikio, njeriut që drejtoi përgjimet, dhe avokatëve të Moxhit Maurilio Prioreski dhe Paolo Trofino. Mbrojtja e ish-drejtorit të Juventusit ka kërkuar të dijë përse nuk janë përfshirë në dosje përgjimet e Faketit dhe ish-dizenjatorit të arbitrave Paolo Bergamo. “Faketi i dikton Bergamos se cilët gjyqtarë të fusë në short, i thotë ver edhe Kolinën, kjo është nëna e përgjimeve dhe nuk e kuptoj përse ju nuk e keni marrë parasysh”, ka thënë avokati Trofino. Koloneli Aurikio është përgjigjur se kjo nuk ishte vlerësuar e rëndësishme, ç’ka ndezi debatin në sallë. Ndërkohë, prokurori Stefano Kapuano është shprehur se nuk ka asnjë kundërshtim që në procesin gjyqësor të futen edhe 75 telefonatat që pretendon mbrojtja e Luçiano Moxhit, duke i quajtur ato tepër të rëndësishme. Edhe prokurori tjetër Xhuzepe Narduçi ka deklaruar pas seancës gjyqësore se përgjimet do të transkriptohen dhe do të merren parasysh. Ndërkohë, një tjetër pikë kyçe e seancës ka qenë pohimi i kolonelit të Karabinierëve Aurikio se “Faketi kishte shkuar për darkë në shtëpinë e ish-dizenjatorit Bergamo”, ndërsa është mohuar që këtë ta ketë bërë Morati. Megjithatë, koloneli që drejtoi përgjimet është shprehur se Bergamo kishte patur 7 takime edhe me të pandehurit që ndodheshin në sallë. Seanca e radhës e procesit të Calciopolit në Gjykatën e Napolit do të zhvillohet më 20 prill, në të cilën gjykatësija Tereza Kazoria pret listën e 75 telefonatave që implikojnë klubet e tjera, sidomos Interin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)