E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset për vizitë zyrtare në Maqedoni

TIRANë- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, u nis sot për një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Maqedonisë, i ftuar nga Presidenti maqedonas, Ivanov.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, në këtë vizitë Kreu i shtetit shoqërohet nga një delegacion shtetëror i përbërë nga anëtarë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kabinetit të Presidentit, si dhe një grup sipërmarrësish shqiptarë.
Presidenti Topi do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov, i cili do të pasohet nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku në qendër të bisedimeve do të jenë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta eurointegruese.

Presidenti Topi, së bashku me Presidentin Ivanov, do të marrin pjesë dhe do të përshëndesin Forumin Ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar, që do të zhvillohet në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dy vendeve, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë një sërë takimesh, si me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me Kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski, me Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me ish-presidentin Branko Cervenkovski, aktualisht Kryetar i Partisë opozitare LSDM, me Kryetarin e Partisë ‘Demokracia e Re’, Imer Selmani, me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, me Rektorin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka, me Kryetarin e Komunës së Dibrës, Argëtim Fida. etj.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›