E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie në 89.5 dollarë për fuçi çmimi i naftës në bursa, në Shqipëri asnjë ulje



Ervin KOÇI

Çmimet e karburanteve kanë nisur sërish dishezën në bursat ndërkombëtare. Vetëm dje çmimi i naftës së papërpunuar ra në 89.56 dollarë për fuçi në bursat amerikane dhe ato aziatike, duke u reflektuar menjëherë edhe në bursat europiane. Çmimi i një fuçie naftë në Azi ka shkuar në afro 89.56 dollarë, ndërsa tregtarët presin që çmimi të rritet derisa të bjerë kërkesa. Gjatë pjesës më të madhe të vitit 2010, çmimi i naftës ka qenë pak më shumë se 70 dollarë, por në dhjetor arriti mbi 92 dollarë, që ishte vlera më e lartë në dy vitet e fundit. Ndërkohë në Shqipëri, që prej fillimit të dhjetorit të vitit që lamë pas e deri sot, çmimet e karburanteve kanë vijuar vetëm të rriten, në një kohë që konsumatorët vijojnë ta blejnë me gjithë shtrenjtimin. Dje në pikat e shitjes me pakicë në kryeqytet tregtarët e shitën benzinën pa plumb me çmimin 162 lekë për litër, ndërkohë që 2 lekë më pak për një njësi vëllimi u shit edhe nafta eurodiesel. Duke filluar nga fillimi i janarit, çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rritje me mbi 5 lekë për litër. Por ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se çmimi i karburanteve shënon gjithmonë rekordin në zonën Tiranë-Durrës aty ku dhe konsumi është më i lartë.

Importuesit
Rritjen e vijueshme të çmimit të karburanteve, importuesit e lidhin me zhvillimet në tregjet e jashtme dhe të brendshme. Ka disa ditë që çmimi i naftës ka filluar të kuotohet më shtrenjtë në bursat ndërkombëtare duke e pasqyruar atë direkt edhe në tregun vendas. Sipas njërit prej përfaqësuesve të grosistëve të hidrokarbureve, Viktor Nushi, çmimet do të mbeten të larta. Ai thotë se çmimi i naftës nuk vendoset nga Shoqata e Hidrokarbureve dhe se nuk ka abuzime siç pretendohet, pasi në vendosjen e çmimit ndikojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm. Ai ka vlerësuar gjithashtu se, politikat financiare shtetërore ndikojnë në mënyrë direke në rritjen e çmimit. Ekspertët e ndryshëm të ekonomisë theksojnë se në mbajtjen e çmimeve të larta, ka padyshim abuzime, si nga shteti, ashtu dhe nga privatët.

Kostoja e karburanteve
Çmimi i karburantit formohet nga më shumë se dy elemente. Së pari, nga çmimi i bursës (Platts) dhe çmimi i transportit nga pika e furnizimit deri në hyrje të territorit shqiptar (ky çmim është frekuent, ndryshon me orë dhe varet nga koniunktura botërore e çmimit të naftës). Së dyti, nga kursi i këmbimit USD/lekë, i cili gjithashtu është variabël, i ndryshueshëm. Nga studimi i tregut, dy treguesit e mësipërm nuk kanë mundur asnjëherë të përbëjnë më shumë se 40-45% të çmimit real të tregut për një litër karburant. Elementi i dytë, jo më pak i rëndësishëm në analizën e formimit të çmimit të një litri karburant, që përbën 55-60% të çmimit real përbëhet nga: 1) Akciza, që tashmë është fikse, 37 lekë/litër karburanti; 2) Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH = 20%); 3) Taksa e karbonit aktualisht 1 lekë/litër; 4) Taksat portuale, aktualisht 580 lekë/ton për naftën dhe për benzinën 1139 lekë/ton; 5) Shpenzimet e shkarkimit të anijeve, taksa e kalatës, e zjarrfikëseve, e rimorkimit në rast stuhie për të dalë në radë anija cisternë etj.; 6) Kompanitë paguajnë Inspektoratin Qendror Teknik për analizën e cilësisë së produkteve. Kjo është “faza e parë” e taksave të paguara nga shoqëritë e hidrokarbureve, që e çon produktin deri në depozita. Në një fazë tjetër, kur produkti i drejtohet tregut të shumicës, analiza kërkon përfshirjen e tarifave të tjera si tarifa e gjelbërimit, ajo e reklamës, tarifa e tabelës, e pastrimit apo edhe taksa e pasurisë. Të gjitha këto janë detyrim ligjor dhe paguhen “deri në një” nga çdo subjekt i licencuar. Por, detyrime të tjera kanë të bëjnë me pagesat për Drejtorinë e Peshëmatjes dhe Kalibrimit, IQT-së etj. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e sektorit, totali i taksave dhe tarifave që paguhen në territorin shqiptar për një ton karburant të shitur është saktësisht 765 dollarë amerikanë. Kjo do të thotë që çdo operator i licencuar në tregun e hidrokarbureve, për çdo litër naftë të shitur derdh në buxhetin e shtetit 765 USD/ton. Kjo do të thotë se rreth 55% e çmimit total të produktit të shitur është taksë fikse, që nuk mund të shmanget kurrsesi dhe as që ka lidhje me koniunkturën ndërkombëtare.

Bankierët nuk komentojnë taksën e bankave

Drejtuesit e sistemit bankar refuzojnë të shprehen rreth akuzave të kryeministrit për tarifa të larta të shërbimeve. Me gjithë këmbënguljen e vazhdueshme të medieve, drejtuesit e bankave tregtare nuk janë shprehur të gatshëm të komentojnë deklaratat se sistemi bankar shqiptar ka tarifat më të larta në rajon dhe as propozimin për ngarkesë fiskale shtesë. Por ka edhe drejtues të sistemit bankar që shprehen se prononcimet e kryeministrit ishin të paargumentuara dhe se ata nuk disponojnë të dhëna krahasuese për të pranuar se sistemit bankar shqiptar ka tarifat më të larta në rajon. Drejtuesi i një prej bankave tregtare u shpreh se, deklarata të tilla janë pjesë e një retorike të zakonshme populiste të politikanëve dhe se nuk pret që të ketë realisht rritje të taksave. Drejtuesit e bankave thonë se çështja e kostove kërkon analiza profesionale. Sipas tyre, shërbime të caktuara si për shembull transfertat, kanë kosto të lartë për shkak të përdorimit të ulët të tyre. Burime nga shoqata e bankave bëjnë të ditur se, javën e ardhshme do të ketë një takim ku bankierët mund të dalin me një qëndrim të përbashkët lidhur me propozimin e kryeministrit për taksim shtesë.

Unioni i SHKK-së, kredia me probleme nën 3.8%

Shoqëritë e kursim-kreditit e vlerësojnë pozitivisht aktivitetin për vitin 2010. Zana Konini, kryetare e Unionit Shqiptar Kursim-Kredi, thotë se gjatë vitit 2010 u dhanë afro 7 mijë kredi të reja, ndërkohë që norma e kredive me problem ishte në nivelin 3.8%. Sipas saj, çelësi i mbajtjes së kredive me probleme në nivele shumë më të ulëta krahasuar me sektorin bankar qëndron tek organizimi i shoqërive të kursim-kreditit. Shoqëritë e kursim kreditit e ushtrojnë aktivitetin e tyre kryesisht në zonat rurale dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, deri në fund të muajit tetor 2010, zotëronin një portofol kredie prej afro 5 miliardë lekësh.

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.20 %
1Ë njëjavor 3.94 %
1M 1-mujor 4.66 %
3M 3-mujor 4.92 %
6M 6-mujor 5.60 %
12M 12-mujor 5.88 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.55 %
1Ë njëjavor 6.18 %
1M 1-mujor 6.35 %
3M 3-mujor 6.62 %
6M 6-mujor 7.17 %
12M 12-mujor 7.56 %

24 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›