E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis rimbursimi i TVSH-së për individët, këtë vit duhet të mblidhni faturat



Ervin KOÇI

Të gjitha shtetasve shqiptarë do t’u rimbursohet deri në 10 për qind e TVSH-së që kanë shpenzuar për blerje dhe shërbime të ndryshme. Viti 2011 do të jetë viti i parë kur shqiptarët do ta marrin mbrapsht këtë shpenzim që kap rreth 20 për qind të shpenzimeve që kanë bërë. Një udhëzim i Ministrisë së Financave që pritet të publikohet së shpejti, do të mundësojë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për një sërë blerjesh që mund të bëjnë qytetarët gjatë vitit. Sipas këtij udhëzimi, qytetarët duhet të ruajnë çdo faturë, apo kupon tatimor për blerjet që bëjnë, dhe në fund të vitit t`i deklarojnë këto blerje në organet tatimore. Qëllimi është që qytetarët dhe blerësit jo biznes, të mos paguajnë më shumë së një herë TVSH-në. Udhëzimi përmban disa specifikime dhe kushte që duhen plotësuar për të përfituar rimbursim. Kështu, qytetarët, duhet të deklarojnë të ardhurat mujore dhe më pas blerjet që kanë bërë. Burime nga MF-ja bëjnë me dije, se rimbursim nuk do të ketë për të gjitha llojet e blerjeve. Si shembull vjen fakti që nuk do të ketë kthim të TVSH-së pas për shpenzimet që një familje, apo person mund të kryejë për mirëmbajtjen e automjetit. Të gjitha detajet e udhëzimit pritet të zbardhen gjatë javës që vjen. Skema të tilla ka pothuajse në të gjithë vendet e zhvilluara. Në Shqipëri, rimbursim i TVSH-së jepet vetëm për bizneset, që janë pjesë e kësaj takse. Qëllimi është që të mos paguhet dy herë TVSH-ja.

Deklarimi personal
Brenda muajit qershor të këtij viti MF-ja duhet të bëjë publike udhëzimin për mënyrën se si do të plotësohet deklarata vjetore e të ardhurave për çdo qytetar. Bashkë me udhëzimin ky dikaster duhet të hartojë edhe formularin e përfitimit nga shpenzimet e zbritshme për kreditë për shkollimin e fëmijëve apo për vetë dhe për personat në kujdestari për kryefamiljarët. Kjo pasi shpenzimet e zbritshme për efekt të plotësimit të kësaj deklarate, të cilat do të rimbursohen nga administrata tatimore, nëse do të jenë më të larta se të ardhurat që krijon qytetari do të jenë vetëm shpenzimet për mjekim apo shpenzimet për kredi për shkollim, për vete ose për fëmijët. Ata që duhet të plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, janë të gjithë individët që marrin një pagë apo të vetëpunësuarit. Përjashtohen vetëm ata individë që nuk fitojnë më shumë se 200 mijë lekë në vit, të vetëpunësuarit që qarkullojnë deri në 2 milionë lekë në vit. Deklaratën mund ta plotësojnë edhe ata persona që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, por ky nuk është detyrim ligjor.

Plotësimi i deklaratës
Çdo qytetar i punësuar apo i vetëpunësuar që siguron të ardhura do të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave. Në të do të paraqitet paga neto, pra sasia e të ardhurave që mbetet duke hequr pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në këtë sasi të hollash do të shtohen, nëse ka, të ardhurat bruto nga qira, të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëritë tregtare apo veprimtaritë e biznesit, shitja e sendeve të paluajtshme në pronësi të deklaruesit, interesat bankare, shuma bruto e fituar nga lojërat e fatit, të ardhurat nga skema e sigurimit suplementar, trashëgimia dhe dhurimi. Nëse ai që deklaron është i vetëpunësuar në bujqësi ai duhet të përfshijë edhe të ardhurat që realizon gjatë veprimtarisë së tij ekonomike, pavarësisht nga lloji i aktivitetit. Kësaj shume do ti zbriten vetëm shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim dhe shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, deri në masën 4,1 për qind të të ardhurave bruto. Për shpenzimet e zbritshme që qytetari do të kryejë duhet të mbajë dokument origjinal që vërteton shpenzimin. Pra, kujdes sepse faturat e këtij viti do tu duhen për 30 prillin e vitit 2012, kur do të bëni deklarimin e parë vjetor të të ardhurave. Qytetarët do të paguajnë tatim mbi diferencën midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme. Ajo tatohet me 10 për qind. Pas plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës vjetore, kryefamiljari është i detyruar që të derdhë pagesën e tatimit, nëse diferenca del pozitive brenda 30 ditëve. Nëse diferenca rezulton negative, administrata tatimore i kthen tatimpaguesit shumën e taksave të paguara më shumë nga sa i takon. Në këtë rast afati i lënë për administratën tatimore është më i gjatë, pasi kthimi i shumave bëhet brenda një viti nga bërja e deklaratës. “Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme”, - thekson ligji. Plotësimi i deklaratës vjetore të të ardhurave është një standard i ri që vendos drejtësi shoqërore dhe formalizimin e ekonomisë. Në të ardhmen qeveria mund të rrisë numrin e shpenzimeve që mbulohen dhe rimbursohen nga kjo skemë dhe të bëjë rishpërndarje të të ardhurave drejt shtresave me vulnerabël, duke rimbursuar taksat e paguara gjatë vitit.

Paga neto mujore 50 000 lekë

Paga neto në vit 50 000 lekë x 12 muaj = 600 000 lekë

Shuma e interesit për kredi shkollore 5 000 lekë/muaj x 12 muaj = 60 000 lekë

Shpenzime për mjekim 4,1 për qind e të ardhurave = 24 600 lekë

Totali i shpenzimeve të zbritshme

60 000 lekë +24 600 lekë = 84 600 lekë

Shuma e tatueshme pas shpenzimeve të zbritshme

600 000 lekë - 84 600 lekë = 515 400 lekë

BOX/////////////////////////
Deklarimi i parë, brenda muajit prill

Detyrimi i parë për deklarimin e të ardhurave vjetore lind në vitin 2012. Brenda datës 30 prill dorëzohet deklarimi vjetor i të ardhurave për vitin 2011. Në rast se deklarata tatimore vjetore e të ardhurave nuk është plotësuar në kohë apo ka gabime, administrata tatimore zbaton sanksione administrative, sipas ligjit të procedurave tatimore. Kur tatimpaguesi jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.

Faturat, qytetari duhet të mbajë nga një kopje

Për çdo të ardhur dhe shpenzim, që jepet në deklaratë tatimpaguesi mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Në rastin kur deklarata dorëzohet elektronikisht, dorazi apo me postë, skanime/fotokopje e këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe vihet në dispozicion të administratës tatimore, kur kërkohet prej saj.

Tatimet, 700 milionë lekë gjoba për mosvendosjen e kasave

Për biznesin e vogël, akoma vazhdon procesi i pajisjes me kasa fiskale, edhe pse afati zyrtar i tyre ka përfunduar. Tatimet kanë ndëshkuar me gjoba për mungesën e kasave fiskale rreth 6550 biznese gjatë vitit 2010. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vlera totale e gjobave arrin në 699 milionë e 685 mijë lekë, ndërkohë që për 1250 raste është bllokuar aktiviteti. Po sipas këtyre të dhënave, deri tani janë instaluar 33 mijë pajisje fiskale, por strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sektori Task-Forcë i Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtoritë e Verifikimit në terren në drejtoritë rajonale tatimore, vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet për evidentimin e subjekteve që nuk janë pajisur me pajisje fiskale. Ndërkohë sipas vendimit të qeverisë, biznesit të vogël që kanë bërë pagesën e blerjes së kasës fiskale, do tu rimbursohet kjo shumë deri në 44 mijë lekë.

24 Janar 2011

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›