Bie në grackë bllofi opozitar: Nuk duam rinumërim të votave, por hetim te zgjedhjeve!

Pas dy muajsh zvarritjeje nëpër rrugët e vendit për hapjen e kutive, PS deklaroi sot pasdite se nuk kërkon rinumërim të votave, por hetimin e zgjedhjeve. Një deklaratë sa e çuditshme aq edhe e pabesueshme. Bllofi opozitar nuk paska të sosur dhe gjithçka është e sajuar nga një karikaturë politike si Edi Rama, i cili mbi interesat integruese të vendit vë ato tijat personale dhe të shpurës komuniste, aq më tepër, duke ditur se nga kjo mesele do të dalë gjithnjë e më i humbur.
Opozita shqiptare ka zbuluar më në fund fytyrën e vërtetë. Gjithçka e sajuar këto muaj dhe këto ditë ka qenë rrjedhojë e krizës së rëndë të lidershipit socialist dhe mungesa e alternativave politik-bërëse, çka e bën të papërfillshme çdo iniciativë të Edvinit dhe kupolës së vjetruar komuniste, për të shkaktuar konfuzionim të situatës politike në vend. Në momentet kur vendi kishte hedhur sytë drejt perëndimit dhe teksa qeveria po i kërkonte me ngulm Brukselit për të aprovuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe heqjen e shpejtë të vizave, opozita filloi lëvizjen haxhiqamiliste me pretekstin se ishin manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht se komisionerët socialistë nuk vërejtën asnjë tentativë të tillë, ndërsa nga ana tjetër zbulohet e kundërta, teksa opozita nuk kërkon rinumërim as hapje tw kutive....Mjaftoi sot një deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Edi Ramës, Armela Imeraj që të hidhej poshtë çdo aludim apo edhe çdo pikë dyshimi mbi zgjedhjet e përgjithshme. Zëdhënësja socialiste, tha në emër të opozitës se “kurrsesi nuk kërkojmë rinumërim të votave, por hetim të zgjedhjeve”. “Ne s’kemi punë me vendimin e gjykatës për zgjedhjet, po me të drejtën e parlamentit për të hetuar me ligj procesin zgjedhor”, deklaroi ajo, duke zbuluar me hir apo me pa hir gjithçka të sajuar këto ditë, me pretendimet e zgjedhjeve. Duket e pabesueshme dhe njëherazi e çuditshme se si një forcë politike arrin deri në këtë shkallë degradimi, duke lënë të nënkuptuar qartë se nuk është e interesuar për proceset e integrimit evropian, por përkundrazi thjesht e vetëm të plotësojë tekat personale të Edi Ramës, 99-shave dhe nomeklaturës së vjetër komuniste si Ruçi, Dokle, Dade, Gjinushi, Milo etj,. Por zëdhënësja përsëriti pseudo-apelin fallco se “në qoftë se Sali Berisha nuk do hapjen e kutive le t’i hapë rrugë zgjedhjeve të re”. Qëndrim ky, që bie ndesh me frazat më lart. Tjetër falsitet dhe tjetër qëndrim emocional i faturuar nga Edi Rama. Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Partia më e madhe në vend u shpreh dje nëpërmjet zëdhënëses se “ka qenë e hapur për të ngritur komisionin parlamentar, garanci kjo e dhënë edhe nga kryeministri Berisha disa ditë më parë”. “Zëdhënësja e Partisë Socialiste Imeraj më në fund dhe për herë të parë që nga 28 Qershori deklaroi në emër të opozitës se opozita nuk kërkon rinumërim të votave as ndryshimin e vendimit të Gjykatës por kërkon hetim parlamentar të zgjedhjeve. PD deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në përputhje me kushtetutën, ligjin organik të Komisioneve Parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike. Përsa i takon ngritjes së komisionit hetimor, zëdhënësja e selisë blu shtoi se pavarësisht nga ligji që i jep të drejtë mazhorancës të ketë shumicën e anëtarëve, është e gatshme që këtë të drejtë t’ia japë opozitës. “PD i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i Komisioneve Parlamentare parashikon në mënyrë taksative që mazhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes së Komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita duke tërhequr anëtarët e saj prej tij”, deklaroi zëdhënësja e PD. Kësisoj, ato që parashikoheshin dhe në një farë mënyrë ishin të konfiguruara si të vërteta, dolën në pah. Opozita është e vetëdijshme se zgjedhjet parlamentare ishin të lira dhe arritën standardet dhe se doli e humbur nga ato. Por, Edi Rama dhe shpura komuniste nuk mund të pranonin këtë humbje demokratike, duke shkaktuar një “krizë” politike, që kurrsesi nuk i shërbeu interesave të tij, por nuk dëmtoi as vendin dhe as qeverinë që e drejton drejt përmbushjes së misionit madhor, atë të integrimit në BE.
...