E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Liberalizimi i vizave dhe integrimi, tmerri i Ramës”

Deklaron Ministri Ferdinand Xhaferri

Kuvendi i 9-të i Partisë Demokratike dega Durrës është mbledhur dje për të bërë analizën e parë të pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti i qarkut Durrës, dhe njëherazi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, vlerësoi zgjedhjet e përgjithshme si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, ndërsa kritikoi ashpër qëndrimin e kryesocialistit Edi Rama. Sipas Xhaferrit me këto tendenca, Rama kërkon të bllokojë procesin e integrimit të vendit dhe përfitimin e qytetarëve shqiptarë nga procesi i liberalizimi të vizave.
“Edi Rama bën protestë për të hapur kutitë nuk e di se ku e bazon këtë kërkesë. Zgjedhjet që lamë pas, ishin të vetmet zgjedhje që nuk kanë nevojë që të hapen kutitë sepse çdo fletë votimi nga veriu deri në jug të vendit doli para kamerave. Ne në këto zgjedhje kemi hapur çdo fletë votimi dhe ai flet për të hapur kutitë. Edhe njëherë e theksoj sepse ka rëndësi shumë të madhe, nuk e ka për kutitë por e ka për liberalizimin e vizave. Çështja e liberalizimit të vizave, është çështje kyç. Gjithmonë Partia Demokratike ka qenë transparente karshi qytetarëve. Liberalizimi i Vizave nuk ka të bëjë me kërkesa personale të Sali Berishës, Sali Berisha lëviz me pasaportë diplomatike. Liberalizimi i vizave nuk ka të bëjë me nevoja personale të Edi Ramës, Edi Rama lëviz me pasaportë diplomatike dhe në qoftë se sot, Sali Berisha është përkushtuar me mish e me shpirt për liberalizimin e vizave është përkushtuar për çdo familje qytetare shqiptare. Ky është tmerri i Edi Ramës, me liberalizimin e vizave dhe me pranimin nga Parlamenti Evropian i Shqipërisë për të filluar anëtarësimin në BE, Shqipëria merr certifikatën më të mirë të suksesit të reformave”, u shpreh Xhaferri.
Më tej, në fjalën e tij, Ministri Xhaferri shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e tij ndaj qytetarëve shqiptare që me votën e tyre i  besuan sërish qeverisë aktuale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›