Bie nga kati i tretë, rrezikon jetën punëtori
Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e të shtunës në një pallat në lagjen nr. 2 të qytetit të Sarandës. Një punëtor, me inicialet L.V., rreth 45 vjeç, teksa ka qenë duke punuar në ballkonin e pallatit, është rrëzuar nga kati i tretë dhe ka përfunduar përtokë, duke pësuar dëmtime serioze për jetën. Burimet policore thanë se i aksidentuari është transportuar menjëherë për të marrë ndihmën e parë në spitalin "Petro Nako" të Sarandës. Mjekët e kanë vlerësuar të rëndë dhe në rrezik për jetën gjendjen e 45-vjeçarit të aksidentuar, për shkak të politraumave që ka marrë. Familjarët dhe mjekët kanë bërë apel për të dhuruar gjak nga qytetarët, por deri mbrëmë nuk ishin siguruar sasitë, për të cilat është vlerësuar se ka nevojë i dëmtuari. Ndërkohë, kushtet e motit me shtrëngata shiu, kanë penguar ardhjen e helikopterit, me të cilin të mund të bëhej transportimi i punëtorit të ndërtimit drejt Tiranës, për mjekim më të specializuar.
Tho.Ni.