Forca e grave
Në vitet tetëqind, sfida e madhe morale ishte skllavëria, në vitet nëntëqind, totalitarizmi. Në shekullin e ri është dhuna mbi gratë: shfrytëzimi seksual, sulmet me acid, vrasjet, djegiet dhe përdhunimet në masë. Në vendet e varfra padrejtësitë që kryhen ndaj grave janë të shumta, por mundësitë që ato vetë përfaqësojnë, nga pikëpamja ekonomike dhe gjeopolitike, janë edhe më të mëdha. "Gratë mbajnë gjysmën e qiellit", thotë një fjalë e urtë kineze, por realiteti është totalisht ndryshe. Në shumë vende të varfra të botës, vajzat nuk shkojnë në shkollë, ndërsa gratë lihen krejtësisht në harresë. Në fakt, nuk është rastësi që këto vende janë fundosur totalisht nga varfëria, fondamentalizmi dhe kaosi. Tashmë ekziston një bindje, e cila po përhapet gjithnjë e më shumë: mënyra më e mirë për të luftuar varfërinë dhe ekstremizmin është të ndihmohen gratë. Për këtë janë të bindur edhe Banka Botërore, krerët më të lartë të shtetit amerikan dhe organizatat humanitare ndërkombëtare. Më në fund bota po ndërgjegjësohet për një të vërtetë të madhe: gratë nuk janë problemi, por zgjidhja.
Shembulli më i mirë janë lagjet periferike të degraduara të Pakistanit. Saima Muhammad është një grua e re, me një fytyrë të rrumbullakët, me flokë me rrica të lidhura me një shami. Në barakat e periferisë së Lahores, ku jetonte, qante çdo mbrëmje. Nuk kishte asnjë rupi. I shoqi ishte i papunë dhe e rrihte çdo ditë. Shtëpia ku jetonte po binte copa-copa dhe Saima u detyrua ta dërgonte të bijën te tezja, sepse nuk kishin ç‘të hanin. "Kunata më vinte në lojë: Nuk arrin as t‘u mbushësh barkun me bukë fëmijëve të tu", kujton Saima. "Burri më rrihte, kunati gjithashtu. Jeta ime ishte një ferr". Burri i Saimas kishte një borxh prej tremijë dollarësh, që dukej se ishte destinuar të peshonte mbi familjen për breza të tërë. Pastaj, kur Saima solli në jetë një vajzë tjetër, vjehrra filloi t‘i thoshte të birit: "Nuk do të bëhesh kurrë me djalë. Duhet të martohesh me një grua tjetër. Gjej një grua të re e të shëndetshme që të sjellë një djalë". Saima ishte e dëshpëruar. Një grua e dytë do të thoshte më pak para për të ushqyer vajzat dhe për t‘i shkolluar. Edhe ajo vetë do të lihej mënjanë si një këpucë e vjetër. Për ditë të tëra Saima ishte pre e ankthit dhe dëshpërimit. Pastaj takoi Nikun dhe mori një hua nga fondacioni "Kashf". Kjo organizatë pakistaneze që merret me kreditë e vogla, u jep shuma të vogla parash grave që dëshirojnë të fillojnë një biznes të tyrin. "Kashf" është një institut tipik që merret me dhënien e kredive të vogla, veçanërisht femrave. Fondacioni mblidhet çdo dy javë për të ndryshuar pagesat dhe për të diskutuar mbi çështje si planifikimi familjar, ose edukimi i vajzave. Zakonisht gratë pakistaneze nuk mund të dalin nga shtëpia pa lejen e burrave, por në këto raste burrat janë më tolerantë, sepse e dinë që gratë do të kthehen në shtëpi me para dhe projekte për investime të reja.
Saima mori një hua prej 65 dollarësh: me to bleu perla dhe disa metra stof. Stofin e qëndisi dhe ua shiti më pas tregtarëve të Lahores. Me paratë që fitoi nga shitja, bleu sërish perla të tjera dhe stof. Stofin e qëndisi sërish me perla. Kështu Saima filloi të fitonte rregullisht para dhe ishte e vetmja në familje që kishte të ardhura. Solli në shtëpi vajzën që e kish lënë te tezja dhe pagoi pjesërisht borxhet e të shoqit.
Kur tregtarët filluan t‘i kërkonin më shumë qëndisma, Saima u kërkoi ndihmë disa grave të tjera, dhe kështu dalëngadalë punësoi 30 familje. Mori në punë edhe të shoqin. "Tani është në varësinë time", thotë duke u krenuar. Sot Saima është bërë sipërmarrësja më e madhe e zonës. Arriti të shlyente të gjitha borxhet e të shoqit, t‘i çonte vajzat në shkollë, të rregullonte shtëpinë, të sillte ujin dhe korrentin në shtëpi, dhe të blinte një televizor. "Tani vijnë të gjithë tek unë dhe më kërkojnë hua, madje edhe gratë që më parë më kritikonin. Fëmijët e lagjes mblidhen të gjithë në shtëpinë time për të parë televizor".
Sot Saima është një grua e pasur, me krahët e mbushur me byzylykë, ndërkohë që në hundë mban një vëth floriri. Ndërsa shoqëron të ftuarit e saj, të cilët po shohin shtëpinë dhe laboratorin, Saima reflekton besim në vetvete. Ndihet shumë krenare, u tregon të ftuarve televizorin dhe impiantin e ri hidraulik. E shpreh hapur që i shoqi është nën urdhrat e saj. Ai i kalon ditët duke u kujdesur për punën. Herë pas here e ndihmon Saiman në laborator, por gjithmonë merr urdhra prej saj. Saima ka lindur edhe një vajzë, por nuk e ka më problem. "Femrat vlejnë po aq sa meshkujt", thotë i shoqi.
Pasuria e Saimas ndryshoi fatin e familjes. Ajo ka planifikuar t‘i çojë të treja vajzat në shkollë të mesme, e ndoshta edhe në universitet. Paguan mësues privatë, të cilët vijnë në shtëpi për të mësuar vajzat. E madhja, Javaria, është e para e klasës. Kur e pyesin Javarian se ç‘plane ka për të ardhmen, thotë se do t‘i pëlqente të studionte për mjekësi ose drejtësi.
Saima pohon se marrëdhëniet me të shoqin janë përmirësuar: "Nuk zihemi më dhe më trajton mirë". Po gruaja tjetër, ajo që i duhej për të lindur një djalë? Saima buzëqesh: "Asnjë nuk flet më për të". Sharifa Bibi, vjehrra, duket e skandalizuar kur e pyesin për gruan e dytë të djalit. "Jo, jo", përgjigjet. "Saima po bën shumë për këtë familje. Na dha një shtëpi ku të fusim kokën dhe ushqim të ngopim barkun", thotë. Sharifa pohon se Saima nuk duhet ta durojë më dhunën e të shoqit. "Një grua duhet të njohë limitet e saj, në të kundërt burri ka të drejtë ta rrahë. Por kur një grua fiton më shumë para se burri, atëherë ai e ka shumë të vështirë të vendosë rregulla".
Mësimi i Amartya Sen
Si duhet t‘i interpretojmë këto lloj historish? Çështja e statusit të femrave është lënë gjithmonë mënjanë. Në fillim ky paragjykim reflektohej edhe në botën e gazetarëve, të cilët preferonin të përqendroheshin në çështje "të rëndësishme" ndërkombëtare, si mosmarrëveshjet tregtare ose shpërndarja e armëve. Por në Kinë patëm një lloj ndriçimi.
Në vitin 1988 unë dhe bashkëshortja ime u transferuam në Pekin, si korrespondentë të "New York Times". Pas shtatë muajsh gjendeshim në sheshin "Tiananmen". Pamë ushtarët të qëllonin në drejtim të turmës që protestonte. Nuk i harroj pamjet e asaj masakre, ku humbën jetën rreth 880 persona. Ato pamje u transmetuan nga të gjitha televizionet dhe gazetat e botës. Një vit më vonë na ra në duar një studim demografik, i panjohur, por shumë i qartë, që tregonte hapur shkeljet e të drejtave të njeriut në përmasa të mëdha. Sipas studimit, çdo vit në Kinë vdisnin 39 mijë vajza, sepse prindërit u mohonin kurat mjekësore, të cilat i ruanin vetëm për djemtë. Numri i vajzave që vdisnin çdo javë ishte i ngjashëm me atë të viktimave të sheshit "Tiananmen". Ishte e çuditshme, sepse asnjë gazetë nuk kishte folur për këto vajza dhe ne të dy, duke qenë gazetarë, filluam të dyshonim se mos ndoshta ai studim ishte i shtrembëruar. Edhe në vende të tjera të botës situata nuk ndryshon shumë. Në Indi çdo dy orë digjet një grua, sepse nuk i ka plotësuar një tekë burrit, ose sepse ky i fundit kërkon të martohet sërish. Kur arrestohej në Kinë një disident i rëndësishëm, ne shkruanim një artikull i cili përfundonte në faqe të parë. Kur rrëmbeheshin njëqind mijë vajza për t‘u shfrytëzuar për prostitucion, ishte një lajm i cili as që merrej në konsideratë.
Nobelistja Amsrtya Sen na kujton edhe njëherë për mosbarazinë që ekziston midis dy gjinive. "Mungojnë më shumë se një milion femra", ka shkruar ajo në një roman të famshëm të vitit 1999. Sen ka vënë re se në rrethana normale femrat jetojnë më shumë se meshkujt. Si pasojë, në pjesën më të madhe të botës ka më shumë femra se meshkuj. Por në vendet ku kanë një status më të ulët se meshkujt, femrat zhduken. Në Kinë raporti është 107 meshkuj për 100 femra. Sen ka llogaritur se sot në botë mungojnë rreth 107 milionë femra. Studimet pasardhëse e kanë ridimensionuar edhe më shumë këtë të dhënë.
Në Kinë vajzat zhduken, sepse nuk marrin të njëjtat kura mjekësore dhe nuk ushqehen si meshkujt. Në Indi, për shembull, ndryshe nga meshkujt, femrat kanë më pak mundësi të vaksinohen dhe dërgohen në spital kur kushtet e tyre janë jashtëzakonisht të rënda. Sërish në Indi rreziku i vdekjes (nga 1-5 vjeç) është 50 për qind më i lartë mes femrave, sesa mes meshkujve. Ndërkaq, përhapja e ekografive ka bërë të mundur që femrat të shohin gjininë e fetusit para lindjes, dhe nëse është vajzë, të abortojnë. Gjithsesi, statistikat të lënë gojëhapur. Sot numri i femrave që mungojnë në botë e ka kaluar totalin e personave të vdekur në të gjitha luftërat e shekullit XIX.
Vijon në numrin e ardhshëm