Mohammed Al Maktoum, sheiku me të bardha
Rezidenca e Mohammed bin Rashid Al Maktoum nis në lartësinë e Ghantoot, një kompleks gjigand i destinuar për kuajt dhe lojën e polos. Kuptohet nga një mur i lartë me kangjella hekuri, që shtrihet për shumë kilometra përgjatë autostradës që lidh Dubain me Abu Dhabin. Brenda tij ndodhet parajsa e Al Maktoum. Nga shkretëtira kanë lindur pemë dhe bimë dhe në jeshillëkun e mrekullueshëm mbretërojnë rezidenca të mëdha në buzë të detit, të mbrojtura nga molet që presin jahtet gjigande. Janë të shumtë pallatet që shtrihen përgjatë bregut. Ai i Al Maktoum është i ndërtuar në një ishull katror që lidhet si me detin, ashtu edhe me tokën, përmes një ure gjigande. Pallati i sheikut të Dubait ka formë rrethore, për të pasur një pamje të plotë mbi Emiratin. Pikërisht në këtë banesë përrallore u vu në jetë strategjia për t‘i komunikuar botës se parajsa Dubai ishte vetëm një hap larg për t‘u shndërruar në një ferr të vërtetë, sepse shoqëritë lider që udhëhoqën zhvillimin imobiliar dhe tregtar të vendit në dhjetë vitet e fundit, ishin në prag të falimentimit. "Dubai Worl" ishte i zhytur me borxhe deri në fyt, ndoshta më shumë se 100 miliardë dollarë dhe flluska imobiliare mbi të cilat luajti sheiku, shpërtheu dhe u shoqërua me një rënie të çmimit të zyrave dhe shtëpive prej 50 për qind. Për të mos hedhur gjithçka, sheikut Al Maktoum iu desh të bënte atë që çdo subjekt tjetër borxhli do të bënte: u kërkoi kreditorëve të ishin të duruar. Por shifrat ishin aq të mëdha, sa lajmi që i duhej dhënë botës duhej përgatitur me shumë kujdes. Sheiku që qeveris Dubain dhe që është numri 1 i Konfederatës së Emirateve të Bashkuara Arabe (shtatë entitete ekonomikisht të pavarura mes tyre), fluturoi në sekret të madh drejt Londrës, në nëntor, për të takuar Mbretëreshën Elizabet dhe për ta vënë në dijeni të situatës. Po përse pikërisht Madhërinë e saj? Sepse borxhin më të madh Al Maktoum e kishte ndaj institucioneve financiare në Mbretërinë e Bashkuar, për një shifër të përgjithshme prej 50.2 miliardë dollarësh. Sigurisht që në komunikatën zyrtare të Dubait dhe "Buchingam Palace" u fol për shkëmbim idesh mbi problemin e varfërisë në botë. Askush nuk kishte marrë vesh asgjë. Mohammed bin Rashid Al Maktoumit i pëlqen të ketë rolin e një princi arab, që i pëlqen meditimi filozofik. Gjatë krizës ekonomike vitin e shkuar, u tha atyre që e rrethonin: "Koniunktura ekonomike na dha kohë të ndalemi, dhe të studiojmë mirë gjërat përreth nesh". Sot, në moshën 62-vjeçare, po përballet me krizën më të keqe të Dubait. Al Maktoum ka parë nga afër gjithë shndërrimin e Emiratit. Ai lindi në vitin 1947 dhe ishte i treti nga katër vëllezërit, hodhi hapat e parë që Dubai ishte vetëm shkretëtira që arrinte deri në det dhe toka e beduinëve të përkushtuar për tregtinë në drejtim të Arabisë Saudite dhe tregtisë së dhenve, pjesëtar i një familjeje elitë që nga lindja (Al Maktoumët ishin pasardhës të atyre që kishin qeverisur më herët këtë zonë, Al Falasët). Sheiku Mohammed pa fillimin e transformimit të vendit të tij në mesin e vitit ‘70, kur një krizë financiare çoi në unifikimin e monedhës me Omanin, dhe kur u zbuluan disa puse nafte. Deri në atë kohë, Dubai kishte qenë vetëm një port kalimi për në Indi, një pikë referimi strategjike ushtarake për anglezët, sepse shtrihet në gjirin e Hornuzit dhe një qendër e rëndësishme për peshkimin dhe tregtinë e perlave. Por, është një tjetër botë ajo që u ofrohet sot atyre që vizitojnë Dubain. Gjithçka që ekziston aty është fryt i familjes Al Maktoum, dhe në veçanti i sheikut Mohammed, duke nisur që nga mesi i vitit ‘90, që kur vëllai i madh Maktoum i dorëzoi "de facto" drejtimin e Emiratit, që më pas u bë zyrtar në fillimet e vitit 2006. Dëshira e tij për ta bërë Dubain një far kulturor dhe ekonomik në botën arabe dhe në Lindjen e Mesme u bashkua me bastin për ta shndërruar edhe në pikën kyçe të kalimit në marrëdhëniet tregtare dhe financiare mes Azisë dhe Perëndimit. Kjo ide mbështetej mbi bazat e pasurisë që në vitin 2007, vit që i parapriu krizës, dhe e vendosi Al Maktoumin në vendin e pestë të familjeve mbretërore, me një pasuri prej 26 miliardë dollarësh dhe në 2008-ën, pas shpërthimit të krizës, në vendin e katërt me 18 miliardë dollarë. Krahu operativ është "Dubai World", shoqëria që ai posedonte 99.6 për qind. Kështu nisën të ndërtoheshin mrekullitë që sheiku donte të kishte në tokën e tij, për t‘i treguar botës se për çfarë ishte i
aftë të bënte. Nga shkretëtira lindën vit as viti hoteli marramendës "Burj Al Arab", qendra tregtare gjigande "Mall of Emirates", impianti i skive "Ski Dybai", ishujt artificialë "The pal Jumeria" dhe "The plam Jelebe Ali", ku mund të ndërtoheshin vila faraonike, si ndërtesa më e lartë në botë me 818 metra, dhe me një kosto prej më shumë se 4 miliardë dollarë, që duhet t‘i hapë dyert për të ftuarit e parë në 4 janar të 2010-ës. Sheikut i pëlqente shpesh të përsëriste se "të gjithë ata që mendojnë se ekonomia e Dubait dhe sukseset e tij janë bazuar vetëm mbi sektorin imobiliar, gabohen rëndë". Sipas Al Maktoumit, Dubai duhet të ishte një far për arabët, dhe mbi të gjitha për Lindjen e Mesme. Që i vogël sheiku ishte edukuar duke ndjekur parimet e Islamit dhe historinë e botës arabe. Në moshën 19-vjeçare, bashkë me kushëririn Mohammed Bin Khalifa, u dërgua në Angli, në vendin e referimit të Emirateve, për sa u përket marrëdhënieve ekonomike dhe ndërkombëtare. Që andej u kthye jo vetëm me një anglishte perfekte, por edhe si një njeri që adhuronte kuajt. Aq shumë i dashuruar është pas hipizmit, sa e ka ndërtuar pallatin shumë afër hipodromit të Dubait. Kuajt e tij kanë fituar gara në të gjithë botën dhe sheiku posedon stabilimente për rritjen e tyre në Angli dhe SHBA. Kohët e fundit bleu për një shifër prej 400 milionë dollarësh qendrën më të rëndësishme për rritjen e tyre në Australi. Ajo për kuajt dhe gamilet është një pasion që ai e ndan me të gjithë anëtarët e familjes së tij: dy gratë dhe 19 fëmijët: 8 meshkuj dhe 11 femra. Por nga gamilet sheiku ka pësuar edhe një zhgënjim të madh. Kundër tij u prezantua në 2006-ën një denoncim në Gjykatën e Floridës, ku e akuzonin se ishte një shfrytëzues, se merrte fëmijë të varfër nga familjet e varfra të Azisë dhe Afrikës për t‘u marrë me gamilet, një punë shumë e rrezikshme për të vegjlit. Kjo ngjarje u bë një çështje shtetërore dhe u mbyll vetëm kur Emiratet miratuan një ligj për të mbrojtur fëmijët dhe sheiku nisi të merrej me filantropi në favor të familjeve të Pakistanit, Sudanit, Mauritanisë dhe Bangladeshi, për një shumë rreth 10 milionë dollarë. Vetëm atëherë çështja u mbyll me motivacionin se një gjykatë amerikane nuk kishte të drejtë të merrej me një çështje të Emirateve. Al Maktoum iu rikthye "punëve" që kishte më për zemër, duke nisur nga poezia që e ka pasion e gjithmonë e ka shprehur edhe në publik: "Nëse poezia nuk arrin të shprehë dëshirat, ëndrrat, shpresat dhe dhimbjet e një kombi, nuk ka vlerë". Njerëzit e punësuar në pallatin e tij tregojnë se shpesh, ai bashkë me fëmijët, nipërit dhe kushërinjtë, organizojnë gara recitimi për poezitë dhe poemat arabe antike. Zakonisht këto momente shoqërohen me anoncimin për iniciativa të reja filantropike. E fundit, për një shumë prej 10 milionë dollarësh, ishte ajo për edukimin e fëmijëve në Lindjen e Mesme. Kanë kaluar pak më shumë se dy vjet nga ai veprim bujarie që bëri xhiron e botës dhe panorama përreth sheikut të Dubait ka ndryshuar shumë. Ajo që deri dje ishte burim pasurie, sot është burim krize. Al Maktoum tani duhet t‘i tregojë botës se është në gjendje ta nxjerrë vendin nga kjo krizë, por nëse nisemi nga motoja e tij, kjo nuk do të ndodhë: "Paratë janë si uji. Nëse ndalohet qarkullimi i tyre, nuk prodhojnë asgjë".