E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga pallati, vdes punëtori 61-vjeçar

Një person ka gjetur vdekjen në punë gjatë ditës së djeshme, teksa ka qenë duke punuar në pallatet e një firme private. Burimet policore thanë se për këtë ngjarje të rëndë janë njoftuar rreth orës 15:20, kur në spital ka mbërritur viktima Ymer Dervishi. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur afër Yzberishtit, te pallatet që po ndërtohen në këtë zonë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet policore të Komisariatit nr. 6, të cilët kanë shoqëruar përgjegjësit e firmës private, ku punonte 61-vjeçari Dervishi. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se viktima ka qenë duke punuar në katet e larta të pallatit dhe gjatë punës ka rrëshqitur poshtë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas uniformave blu, në vendin e ngjarjes janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë okularë, ndërkohë që ka nisur hetimi i hollësishëm për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij incidenti të rëndë në punë. Burimet shpjegojnë se aktualisht po punojnë për të zbuluar, nëse punëtori ka qenë i siguruar dhe a ka qenë i pajisur me mjete sigurie gjatë kryerjes së punës. Sipas të dhënave hetimore, për këtë arsye janë shoqëruar edhe përgjegjësit e firmës private, ndaj të cilëve ende nuk është marrë ndonjë masë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›