Debitori i KESH-it kërkon burgun, se nuk ka para për gjobën
Një debitor i KESH-it në Berat ka zgjedhur burgun në vend të pagimit të energjisë elektrike që kishte konsumuar. Gjykata e Rrethit të Beratit ka dënuar me një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike, shtetasin Thimi Çepele, por ai ka pranuar burgun për të konvertuar gjobën e vënë ndaj tij. Burime të Komisariatit të policisë Berat bëjnë me dije se ditën e djeshme është bërë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorisë së Rrethit Berat që mban datën 12 tetor për ndalimin e shtetasit Thimi Çepele, banues në Urën Vajgurore. Prokuroria kërkoi ndalimin e 51-vjeçarit pas një vendimi të marrë nga Gjykata e Rrethit të Beratit për konvertimin e dënimit nga një gjobë prej 100 mijë lekësh në dënimin me burg prej 20 ditësh me akuzën "vjedhje e energjisë elektrike". Me një vendim me numër 132, që mban datën 5 tetor, gjykata vendos të pranojë kërkesën e të akuzuarit në gjendje të lirë për të konvertuar gjobën në 20 ditë heqje lirie. Ishte pikërisht kjo gjykatë që në dënimin e saj shpalli fajtor Çepelen, duke e dënuar atë me një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja. Por, ky i fundit, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, ka kërkuar të konvertojë gjobën me një dënim tjetër, që është heqja e lirisë. 51-vjeçari u padit nga KESH pas një kontrolli që inspektorët e energjisë elektrike bënë në banesën e tij në Urën Vajgurore, ku rezultoi se ai bënte vjedhje të energjisë me lidhje të dyfishtë.