Banorët e Gjoricës kërkojnë ndihmë: Drini po kalon tokat tona në Maqedoni
Fshatarët në Gjoricë të Poshtme, në Rrethin e Bulqizës, ankohen se tokat e tyre janë bërë pronë e shtetit fqinj të Maqedonisë. Fshati Gjoricë në të gjithë gjatësinë e shtrirjes së tij nga lindja për rreth 3 kilometra kufizohet me Maqedoninë dhe si vijë kufitare ndarëse shërben lumi i Drinit të Zi. Ndër vite, erozioni i vërshimit të këtij lumi ka bërë që të ndryshojë shtrati i lëvizjes së Drinit, duke "ngrënë" toka të fshatarëve të Gjoricës, për t‘i bërë pronë të shtetit fqinj të Maqedonisë. Kështu fshatarët ankohen se janë me qindra hektarë tokë që kanë kaluar matanë kufirit shtetëror. Një dukuri e tillë thonë ata ka vazhduar ndër vite, por sidomos pas vitit ‘90 ajo mori përmasa edhe më të mëdha, pasi banorët shkatërruan argjinaturën mbrojtëse të Drinit, duke marrë gurët për ndërtim. Ndërkohë, një situatë e tillë rrezikoi seriozisht që Drini të çante përmes tokat e Gjoricës së Poshtme, duke përmbytur kështu jo vetëm tokat, por edhe shtëpitë. Kjo bëri të domosdoshme ndërhyrjen e shtetit me investime për ndërtimin e një pjese të argjinaturës, që shmangu rrezikun e kësaj përmbytjeje. Gjithsesi, fshatarët ndihen të pikëlluar se shikojnë ish-tokat e tyre matanë lumit dhe nuk mund t‘i prekin. "E shikoni atë pyllin atje, deri lart është i joni. Mbaj mend që kemi mbjellë misër në të gjitha tokat që ju shikoni matanë Drinit, i cili ka vende që ka hyrë në distancë prej rreth 500 metrash në tokat tona", thotë plaku 82-vjeçar Aqif Lleshi. "Zotë të tokës tonë janë bërë maqedonasit, pasi nga shkon Drini është kufiri", thotë 77-vjeçari Maliq Tasha. "Vetëm mua si familje, thotë Sefer Jella, Drini më ka marrë 13 dynym tokë, por nuk jam vetëm unë, por të gjitha familjet e Gjoricës së Poshtme". "Sa s‘më plas zemra more bir, thotë një plakë 75-vjeçare, Zare Balliu, kur shoh tokën time matanë dhe nuk kam mundësi të shkoj dhe ta punoj atë. Vetëm pse mori një copë dru në krahë, policia maqedonase vrau një të ri nga fshati ynë", vijon të tregojë ajo me lot në sy. "Ky rast nuk është i vetëm, ndërhyn në bisedë Bukurie Tasha, 70 vjeçe, pasi në këta 15 vjet janë vrarë tetë të rinj nga fshati ynë prej policisë maqedonase, pasi kanë guxuar të shkojnë dhe të presin dru në ish-tokat e tyre që ua ka marrë Drini". Të gjithë këta banorë kërkojnë që të ndërhyjë shteti, pasi "shteti, thotë 82-vjeçari Aqif Lleshi, duhet ta mbrojë pëllëmbën e tokës së vet".